“Shqipëria, vendimtare”, mediat kroate vlerësojnë “Legjionarët” e Sylvinho

schedule16:56 - 20 Prill, 2024

schedule 16:56 - 20 Prill, 2024

Në grup cilësohemi më të dobëtit, por nuk është se na nënvleftësojnë. Kombëtarja shqiptare pritet të jetë rival i fortë i kundërshtarëve me shumë emër, dhe njëri prej tyre është Kroacia, ku në dy Botëroret e fundit ka arritur të sigurojë dy herë podium, si vend i dytë, në atë të Rusis dhe vendin e tretë, në atë të Katarit, që sapo lamë pas.

E përditshmja e shquar e Zagrebit, “Vecernji List”, i kushton një artikull të veçantë “skanerit” të “Kuqezinjve”, duke veçuar lojtarët dhe mënyrën e lojës. E njohur si “gazeta e mbrëmjes”, ajo thekson se Shqipëria arriti atë që askush nuk e priste në eliminatoret e Evropianit, ndërsa ndeshjen ndaj saj, e cilëson si “kyç”.

Pak a shumë, siç mendon edhe trajneri i “Të Zjarrtëve”, Zlatko Daliç. “Veçernji List” thekson se disa nga lojtarët shqiptarë kanë qenë në Kroaci, si Cikalleshi, Uzuni, Daku dhe Ardian Ismajli. Pasi mburr portierët Berisha e Strakosha, media kroate komenton se mbrojtja kuqezi ka një “vulë” italiane.

Veçohet kapiteni Berat Gjimshiti, por edhe Hysaj e Ismajli në mbrojtje. Në mesfushë, më të fortët, sipas “Veçernjit” janë Asllani, Bajrami, Ramadani, por edhe Bare. Padyshim, një emër që bie në sy edhe për kroatët është Armando Broja, që jepet shumë i rrezikshëm nëse nuk pengohet nga dëmtimet.

Gjithsesi, “Veçernji List” e veçon njërin nga yjet “Kuqezinj”. Kristjan Asllani është njeriu nga i cili Kroacia duhet të ruhet, shkruan gazeta 67-vjeçare. Shqipëria do të luajë me rivalin ballkanas në 19 qershor, në ndeshjen e dytë në grup në Euro 2024 në Gjermani. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!