Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, tha për “War Report” se Shqipëria mund të kthehet në një vend për prodhimin e dronëve dhe sistemeve antidronë dhe eksportin e tyre. Më tej, Krisafi shtoi se Shqipëria duhet të mendojë për sigurinë e saj në një situatë të tensionuar gjeopolitike ndërkombëtare.
“Për Shqipërinë, sa efikasë janë dronët? Ne nuk kemi kërcënim dhe më e rëndësishme për ne është prodhimi i dronëve dhe mundësia e eksportimit, nëse bëhet një biznes i tillë që mund të eksportohen. Europa është në garë për prodhimin e dronëve dhe sistemeve antidrone, dhe për vendin tonë janë më të rëndësishme sistemet antidronë. Ne mund të japim ndikimin tonë, qoftë modest.
E dyta, historia ka treguar se shumë shtete dhe organizata nuk janë të përjetshme; nuk e dimë si do të jenë shtetet apo NATO. Nuk e dimë si do të jetë bota, dhe për ne është e rëndësishme të ketë një lloj kapaciteti të tillë. Në rast krize, secili shtet duhet të mendojë për veten. Dhe NATO, nëse një shtet sulmon një vend të NATO-s, është e shkruar që shteti duhet të mendojë në orët e para vetë, e më pas ndërhyn NATO.
Jam më shumë kurioz për sistemin antidrone, sepse ai duhet të ishte më i nevojshëm, por si bazë eksportuese Europa do të ishte një treg shumë i mirë.”


