Shqipëria U-21/ Vrioni dhe Çelhaka në “kor”: Pa frikë, në Austri për fitore

schedule14:38 - 2 Shtator, 2020

schedule 14:38 - 2 Shtator, 2020

Shqipëria U-21 rikthehet të luajë një ndeshje zyrtare të premten e katër shtatorit (18:30), teksa do të përballet jashtë fushe me moshatarët austriakë. Ndeshja e shtatë e kuqezinjve të vegjël (renditen në vend të katërt) në grupin 3 të eliminatoreve të Europianit.

Në konferencën për shtypin ka qenë radha e Giacomo Vrionit dhe Jurgen Çelhakës. Sulmuesi i Juventusit dhe mesfushori i Tiranës, kanë analizuar sfidën e vështirë që do të luhet në Ried, por optimizmi dhe besimi për fitore është shumë i madh.

VRIONI – “Presim të japim maksimumin siç kemi bërë në të gjitha ndeshjet. Shpresojmë të marrim tre pikë, e dimë që është e vështirë por do ta provojmë sigurisht. Unë nuk mendoj se na pëlqen të barazojmë ndeshjet. Do të kërkojmë sigurisht të fitojmë dhe do të japim maksimumin.

Me eksperiencë jemi të gjithë, jo vetëm unë, sepse të gjithë luajmë futboll dhe kur na ka thirrur trajneri këtu do të thotë që jemi të gjithë lojtarë shumë të mirë. Pikë e fortë e kombëtares është grupi, të japim shpirtin në lojë dhe uroj t’ia dalim të fitojmë.

Kombëtarja A? Kur të më jepet mundësia, unë do të jap maksimumin deri sa të jem me U-21. Kur të më japë mundësinë trajneri Reja, unë do të jem gati”.

ÇELHAKA – “Ndeshjen normalisht që e ka studiuar trajneri, ajo është detyrë e tij, ne do të zbatojmë udhëzimet që do të na japë profesor Bushi. Ne do shkojmë aty vetëm për rezultat pozitiv. Rezultati pozitiv nënkupton vetëm fitore.

Në ekipin përfaqësues është një atmosferë shumë e mirë, grupi është i bashkuar kemi lojtarë shumë të mirë, shpresojmë të arrijmë objektivat. Të fitojmë ndeshjen e radhës dhe pastaj të mendojmë për Andorrën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!