Shqipëria tërheqëse për investitorët arabë/ Gonxhja: Është përmirësuar klima për bizneset e huaja

schedule19:46 - 2 Mars, 2024

schedule 19:46 - 2 Mars, 2024

Shqipëria ka ngjallur interes për biznes te investitorët nga Arabia Saudite. 50 sipërmarrës kanë ardhur në vendin tonë për të identifikuar fusha të ndryshme për të investuar. Ministri i Ekonomisë dhe i Kulturës, Blendi Gonxhja theksoi se Shqipëria ka krijuar një ambient shumë miqësor për investimet e huaja.

“Shqipëria ka bërë një sërë hapash para në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Gjithashtu vendi ynë ka mjaft potenciale për të investuar në turizëm, energjinë e pastër dhe në infrastrukturë. Sektori i energjisë në Shqipëri është premtues për investitorët e interesuar për energjinë e rinovueshme. Me burime të bollshme natyrore si hidroenergjia, dielli dhe era, Shqipëria ka potencialin të bëhet një qendër për prodhimin e energjisë së pastër”.

Ndërsa ministrja e Bujqësisë u kërkoi sipërmarrësve nga Arabia Saudite që t’i kushtojnë vëmendje investimeve në bujqësi.

Kreu i Federatës së Dhomave Saudite tha se ka ende hapësirë për të rritur bashkëpunimin mes vendeve tona.

“Shkëmbimet mes dy vendeve nga 5 milionë dollarë në vitin 2015, arritën në 16 milionë dollarë në vitin 2022, por ende nuk kanë arritur në nivelin e dëshiruar, veçanërisht përsa i përket eksporteve me Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë takimit u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Dhomave Saudite dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë në Shqipëri, me synim rritjen e bashkëpunimit mes sipërmarrjes së dy shteteve. Aktualisht shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona rezultojnë në 45 milionë euro./abcnews.al