Shqipëria synon fitoren në Skoci, Panuçi nuk zbulon formacionin

schedule13:42 - 10 Shtator, 2018

schedule 13:42 - 10 Shtator, 2018

Në Skoci nuk do të luhet për barazim. Ky është premtimi i trajnerit të kombëtares, Kristian Panuçi, në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve. Formacioni mbetet mister.

Në “Hampden Park” ishin thjesht vizitorë. Kombëtarja shqiptare vetëm shkeli tapetin e stadiumit të famshëm ku do të luajë sonte ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve, ndërsa “detyrat e shtëpisë” i kishte bërë në “Elbasan Arena”.

Futbollistët nuk duhej të shpenzonin energji pas një udhëtimi të gjatë, dhe pas sfidës së vështirë ndaj Izraelit, ndërsa trajneri Kristian Panuçi kërkon që ata të jenë në formë maksimale.

Panuçi: “Kemi ardhur në Gllazgou për të bërë maksimumin e mundshëm dhe për të synuar fitoren e ndeshjes. I njohim vlerat dhe defektet tona, por sot nuk kemi rrugë tjetër përveçse të provojmë që të fitojmë. E dimë se do të kemi përballë një skuadër të lënduar në sedër pas humbjes me Belgjikën, e dimë se do të jemi në një ambient të vështirë, por ne jemi mirë dhe i kemi rigjeneruar forcat tona. Do të japim maksimumin dhe sigurisht nuk do të hyjmë në fushë për një barazim”.

Në Elbasan dhe Durrës u provuan shumë skema dhe shumë lojtarë.

A mund ta zbulojë Panuçi formacionin e sotëm?

Panuçi: “Kam menduar shumë këto ditë, pasi ndeshjet janë shumë afër njëra-tjetrës. Duhet ndryshuar diçka dhe do ta ndryshoj, por shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura, por gjithçka do ta shihni në fushë”.

Në skuadër papritur vjen Ergys Kaçe, përse trajneri ndryshoi mendje për mesfushorin?

Panuçi: “Patëm problem me Lilën, që kishte dëmtim muskulor. Solla në mendje të gjithë mesfushorët e mundshëm dhe vendosa për Kaçen. Ai do të jetë në stol, pasi nuk mund të luajë 90 minuta. Në tri javët e fundit nuk ka luajtur, por ka qenë në 50 për qind të kohës në ndeshjet përgatitore në verë. Gjithashtu, është lojtar me personalitet”.

Panuçi deklaroi se nuk do të përpiqet thjesht t’i përshtatet kundërshtarit, edhe pse duhet kujdes me lojën e Skocisë në ajër dhe në dyluftime.

Trajneri theksoi se Shqipëria duhet të bëjë lojën e saj. Për kapitenin Agolli nuk mund të mungonte ngacmimi se ai del në krah të trajnerit përpara mediave, por lihet në stol gjatë ndeshjeve.

Çdo lojtar dëshiron të luajë, por e vendos trajneri. Pak rëndësi ka nëse mërzitem apo jo, rëndësi ka që skuadra t’ia dalë. Pavarësisht se formacioni mbahet sekret, sërish besohet se kombëtarja ndaj Skocisë do të jetë pak më mbrojtëse sesa kundër Izraelit.

Dyshimi kryesor i Panuçit është nëse duhet të luajë në mbrojtje me 3 lojtarë në qendër, apo me dy, si në takimin e kaluar. Kjo mund të linte Gavazajn në stol, por formacioni mund të jetë i njëjtë si me Izraelin, veçse ekipi pak më i tërhequr. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!