Eksperti për çështjet e punësimit, Erion Muça, theksoi se Shqipëria është ende larg ‘përqafimit’ në masë të Inteligjencës Artificiale. Për “Money Report”, eksperti theksoi se është e pamundur t’i përgjigjemi 100 % trendit aktual të kohës, pasi një pjesë e popullatës ka njohuri të pakta dixhitale.
“Gjatë këtij viti ka një interes të lartë për specialist në fushën e teknologjisë së informacionit që jo medoemos mund të vërë në funksion inteligjencën artificiale për të zgjidhur problemet reale. Shqipëria nuk është në kushtet e nivelit që AI të zërë vend gjerë e gjatë. Jemi në nivelet e para të automatizimit të disa proceseve që do të lehtësojë sadopak eficensën e proceseve të punës. Jemi deri tek dixhitalizimi dhe automatizimi pa kaluar në fazën e AI. Por ende është larg sa i përket investimeve në infrastrukturë të bizneseve shqiptare dhe përgjigjes me aftësitë e duhura nga popullata. Përjashtim bëjnë grupmoshat e reja që përmes talentit që kanë, dhe përballjen që në vegjëli me telefonat smart, po bëhen pjesë e disa programeve që i ndihmojnë që të zhvillojnë këto aftësi.”, theksoi eksperti.
Ai u ndal edhe tek rritja e pagave në sektorin privat, teksa përmendi disa hapa që duhet të ndërmerren. Sipas tij, duhet që të krijohet një sistem i nivelit të pagave bazuar në profesione. Ai gjithashtu tha se duhet që sipërmarrjet të vlerësojnë punonjësit në bazë të performancës së tyre.
“Duhet të ndërtohet një sistem unik i nivelit të pagave bazuar në profesione dhe nivelet e tyre që kompanitë duhet të kenë. Ky moment duhet të jetë i standartizuar që të përcaktohet një nivel pagash reference në bazën e emërtimit të pozicionit dhe profesioneve. E dyta, është pavarësia që ka sipërmarrja për t’i vendosur në kushtet e veta pagat por duke pasur një sistem referimi të brendshëm se si i përcakton ato. Së treti, niveli i pagave të jetë në proporcion me të ardhurat dhe fitimet e tyre dhe duke rishikuar aftësinë paguese që kanë për të rritur nivelin e pagave. Ajo që mund të bëhet është shpërndarja e fitimit neto të një sipërmarrje dhe të jetë disi më solidar për ta shpërndarë fitimin e shtuar neto, që mund të jetë si rrjedhojë e punës së palodhur të punonjësve, duke shpërndarë në mënyrë automatike në vjetërsi pune, duke ndërtuar skema bonusesh dhe benefitesh mbi bazën e performancës dhe rezultateve që e masin qoftë direkt apo indirekt. Më pas, duke filluar si rrjedhojë e këtyre, respektimi i kontratës së punës që është mjet promovimi dhe për vetë sipërmarrjen përballë punonjësit të vet. Sistemet e promovimit të brendshëm në karrierë që ende sot pengojnë shumë të rinj në disa sipërmarrje që të rriten.“, shtoi eksperti./abcnews.al