Zëvendës kryetari i LSI-së, Luan Rama i ftuar në “Provokacija” me Mustafa Nanon thotë se arsyeja përse po ndodh përplasja për Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me keqqeverisjen.
“Në një kohë paradoksesh kjo është një shëmti periferike që po ndodh me situatën politike në vend. Jemi të detyruar të flasim për të njëjtën shëmti, është për të ardhur keq që Shqipëria po shfaqet si shteti me karagjoz në Europë. Sot, një muaj pas “Jo”-së së negociatave, dialogu duhet të ishte kryefjala e zhvillimeve politike dhe kjo periudhe duhet të ishte muaj dialogu, se çfarë duhet të bëjmë për reformën zgjedhore dhe mbi të gjitha për ti krijuar hapësirë zgjidhjes së krizës”, tha Rama.
Sipas tij Shqipëria nuk e meritonte çeljen e negociatave, cila Europë mund të na pranojë në këtë mënyrë, tha Rama.
“Nuk e meritojmë çeljen e negociatave sepse nuk plotësojmë standartet që kërkohen. Çelja e negociatave nuk është dhuratë, por duhet të meritohet në bazë të meritokracisë. Shqipëria është në një krizë të rëndë politike, është në një krizë të rëndë kushtetuese, në një krizë të rëndë institucionale. Është në një krizë të rëndë të funksionimit të pushteteve dhe për pasojë gjendemi në këtë situatë që na ka bërë të jemi në fakt vendi më qesharak, një shtet karagjoz me shpërfaqje alarmante të papërgjegjshmërisë së funksionarëve përgjegjës në gjithë këtë situatë që është krijuar. Koincidon që jemi diçka më shumë se sa një muaj pas vendimit që mori Këshilli Europian më 18 tetor për mosçeljen e negociatave me Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit europian”, deklaroi Luan Rama.
Presidenti dhe qeveria janë në luftë me njëri tjetrin. Duhet ta shohim krizën më realisht, presidenti sipas tij është i vetmi institucion legjitim.
Sa i përket përplasjeve për Gjykatën Kushtetuese Rama shprehet se është një proces jetik dhe se duhet të realizohet pa shkelur ligjet.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese duhet të realizohet pa shkelur Kushtetutën, tha ndër të tjera Rama.
“Edhe modelet e konsoliduara ne i komentojmë në mënyrë të mbrapshtë në Shqipëri, parlamenti është ilegjitim, kemi vakancë në Kuvend, jemi paradoksalisht qesharakë. Reforma në drejtësi dhe Vettigu presupozonte të penalizonte individin dhe jo institucionin, por këtu është penalizuar institucioni. Reforma në drejtësi ka nevojë për realizëm jo për eufori. Presidenti nuk ka tagër të ndërhyjë tek aktet e Kuvendit, nuk mund të deligjitmojë zgjedhjet e Kuvendit, por nga ana tjetër as Kuvendi nuk mund të deligjitimojë vendimet e Presidentit”, theksoi Rama.
Për fat të keq, është penalizuar gjithë Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, të cilat nuk janë funksion. Në asnjë vend të botës nuk do të ndodhte që në dy vjet të mungesës së këtyre gjykatave shtetit të vazhdonte të bënte sikur nuk ka ndodhur gjë./abcnews.al