Nga Erisa Zyka
Pas sinjalit shpresëdhënës të presidencës franceze te Bashkimit Europian për hapjen e mundshme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda këtij gjashtëmujori, një tjetër sinjal pozitiv vjen nga Gjermania. Në përfundim të takimit të ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Europian në Luksemburg, ministrja federale e Gjermanisë për punët e jashtme, Annalena Baerbock, ka folur për përgjegjësinë e Bashkimit Europian për të hapur përfundimisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda gjysmës së parë të vitit.
Annalena Baerbock, ministre federale e Gjermanisë për punët e jashtme:
“Në takimin e sotëm, përveçse për Ukrainën diskutuam edhe një herë për situatën në vendet fqinje. veçanërisht për Ballkanin Perëndimor..Është tepër e rëndësishme që të mos i zhgënjejmë këto vende, por të mbajmë premtimin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo vlen mbi të gjitha për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo është arsyeja pse është përgjegjësia jonë që në gjysmën e parë të vitit të hapim përfundimisht negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap që është vonuar shumë. Dhe sapo pata një tjetër bisedë dypalëshe me ministren e jashtme bullgare, ku të dyja ramë dakord, se në situatën aktuale është vendimtar fillimi i procesit të negociatave të anëtarësimit. Dhe unë shpresoj shumë se Bullgaria mund dhe do të qartësojë pikat që janë ende pezull.”
Nga ana tjetër, ministrja Baerbock i ka dhënë një mesazh të qartë Serbisë:
Annalena Barbock, ministre federale e Gjermanisë për punët e jashtme:
“Por e njëjta gjë vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat e kanë bërë të qartë gjatë javëve të fundit se e shohin të ardhmen dhe sigurinë e tyre në Bashkimin Evropian, ndaj dhe shumica e tyre mbështesin sanksionet evropiane. Prandaj do të doja t’i theksoja Serbisë këtë mesazh. Nëse dëshironi të bëheni anëtare e Bashkimit Evropian, gjë që Serbia do të dëshironte të bëhej, atëherë është thelbësore në momente të tilla të mbështesni edhe politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe sanksionet përkatëse” .
Gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Luksemburg, komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimin, Oliber Varhelyi i ka dorëzuar autoriteteve të Moldavisë dhe Gjeorgjisë pyetësorin lidhur me aplikimin e dy vendeve për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Edhe pse Bashkimi Europian ka përshpejtuar dorëzimin e pyetësorit te autoritetet e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, për vendet e Bashkimit Europian është e pashmangshme që këto 3 vende të përmbushin kushtëzimin e vendosur për marrjen e statusit të vendit kandidat, ashtu si është vijuar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.