Sporti shqiptar ka një tjetër arsye të madhe për krenari. Kombëtarja shqiptare e Taekëondo-së ka arritur një nga sukseset më të mëdha në historinë e saj, duke u shpallur “Ekipi më i Mirë Senior” në Kampionatin Ballkanik 2026, të zhvilluar në Zrenjanin të Serbisë.
Kuqezinjtë u rikthyen në Shqipëri me plot 18 medalje, një bilanc mbresëlënës që konfirmon rritjen e vazhdueshme të këtij sporti dhe nivelin gjithnjë e më të lartë të sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Medaljet e arta, të argjendta dhe të bronzta të fituara në kategori të ndryshme moshe e peshe e vendosën Shqipërinë mes ekipeve më të forta të rajonit.
Tre sportistë shqiptarë u kurorëzuan kampionë të Ballkanit, duke ngritur flamurin kuqezi në majën e podiumit. Një arritje e veçantë i takon Ernest Merdanajt, i cili fitoi titullin e kampionit të Ballkanit për të gjashtin vit radhazi, duke konfirmuar dominimin e tij në këtë sport. Po ashtu, Ibrahim Hidri dhe Prena Marku u shpallën kampionë të Ballkanit pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë gjithë garës.
Pas këtij rezultati historik qëndron puna e palodhur e trajnerëve dhe sportistëve. Në studion e ABC-së së Mëngjesit do të jetë Arjola Kasaj, trajnerja e ekipit kombëtar të Taekëondo-së dhe trajnerja personale e dy kampionëve ballkanikë, së bashku me Ernest Merdanajn dhe Ibrahim Hidrin, për të rrëfyer emocionet e këtij triumfi, sakrificat që fshihen pas medaljeve dhe rrugëtimin drejt suksesit.



