TIRANË- Siguria kibernetike në Shqipëri ka avancuar gjatë vitit 2024. Kjo vlerësohet nga Indeksi Global i Sigurisë Kibernetike, ku rezulton se vendi ynë është ngjitur me 23 pozicione në renditjen botërore.
Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve aktualisht, në nivel evropian, Shqipëria ka përmirësuar pozicionin e saj nga vendi i 40-të në vendin e 30-të dhe pozicionohet në vend të 57 në botë.
Drejtori i Analizës dhe Riskut në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Saimir Kapllani, thotë në “Money Report” se këto të dhëna janë vlerësim i punës së bëra nga autoritetet shqiptare në forcimin e sigurisë.
Ai shtoi se raporti ka qenë i bazuar në pesë shtylla kryesore dhe në shqyrtimin e tyre, Shqipëria rezulton se ka punuar në mënyrë serioze.
“Raporti i fundit i ITU shënon një progres të jashtëzakonshëm të Shqipërisë duke e renditur Shqipërinë në vendin e 57 në shkallë globale. Ky progres është bërë duke marrë në konsideratë masa e shtuara për forcimin e sigurisë kibernetike në rang kombëtar. Ky raport ka qenë i bazuar në pesë shtylla kryesore, duke filluar me shtyllën e masave ligjore, masat teknike, që përdoren për mbrojtjen e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimet në këto dimensione”, tha ai.
Eksperti u shpreh se sektori privat edhe ai publik kanë investuar në mënyrë të ndjeshme në ruajtjen e sigurisë së tyre.
“Është investuar në këtë drejtim si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Një nga pikat që është bërë progres, është bashkëpunimi si në ranga kombëtar edhe atë rajonal”, tha ai./ abcnews.al


