Shqipëria, progres kundër pastrimit të parave/ Ekspertja: Tregon performancën e mirë të vendit. Faktorët që kanë ndikuar

schedule14:24 - 3 Dhjetor, 2024

schedule 14:24 - 3 Dhjetor, 2024

Shqipëria ka bërë përmirësim të ndjeshëm në luftën ndaj pastrimit të parave dhe terrorizmit, duke u renditur në vendin e 36-të. Raporti i Indeksit të Bazelit për vitin 2024 tregon se vendi ynë ka përmirësuar ndjeshëm renditjen duke u futur në hartën jeshile ose të vendeve me risk të ulët.

Ekspertja për ekonominë, Romina Radonshiqi thotë se raporti tregon performancën e mirë të vendit në rritjen ekonomike dhe në uljen e nivelit të korrupsionit. Për “Money Report”, ajo theksoi se raporti rrit gjithashtu besueshmërinë tek ndërkombëtarët për të bërë biznes në vendin tonë.

“Element pozitiv që Shqipëria më në fund po tregon se ka performancë të mirë si vend qoftë si rritje ekonomike dhe në reduktim të nivelit të korrupsionit. Vendi ynë është parë nga ndërkombëtarët si jo i besueshëm të të bërit biznes, por mendoj se kapitujt e kanë bërë Shqipërinë dhe institucionet shqiptare të vihen në lëvizje dhe përshtatja e aspektit ligjor të përkojë me zbatueshmërinë e këtyre ligjeve. Kjo është e dukshme jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe në aspektin mikro, sepse vetë qytetarët po kuptojmë se po funksionojnë institucionet dhe nëse dikush është pjesë e ekonomisë informale apo të paligjshme, do të vijë një moment që do të vihet përballë ligjit. Perceptim pozitiv ndërkombëtarisht dhe së brendshmi. Ka rritur besimin se Shqipëria është një vend që do të integrohet shpejt në BE”, u shpreh ekspertja.

E pyetur për faktorët që kanë ndikuar ekspertja përmendi përpjekjet për formalizimin e ekonomisë.

“Së pari, kemi formalizimin e ekonomisë në aspektin fiskal, dixhital, sistemin bankar që përdoret më shumë. Qytetarët shqiptarë kanë rritur edhe qasjen për t’iu drejtuar sistemit bankar për të kursyer, për transaksione. Shumica e bizneseve nuk marrin më transaksione cash. Mendohet që në 2025, përdorimi i cash do të reduktohet më tepër. Ky pikëzim do të jetë më pozitiv pasi po bëhen përpjekje ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal. Po bëhen përpjekje për të luftuar informalitetin dhe formalizuar vetë tregun që të kemi konkurrueshmëri“, shtoi ajo./abcnews.al