Shqipëria porosit raketat që shkatërruan tanket e Putinit, reagon Peleshi

schedule14:33 - 21 Maj, 2022

schedule 14:33 - 21 Maj, 2022

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të pajisen me  sistemet më të mira raketore antitank “Javelin”.  Ishte vetë kompania prodhuese e këtyre sistemeve Lockheed-Raytheon JV ku bëri të ditur se krahas Norvegjisë, Letonisë dhe Tajlandës do të prodhojnë “Javelin” edhe për Shqipërinë.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka konfirmuar një lajm të tillë.  Nga Pogradeci, Peleshi tha për gazetarët se kjo është në kuadrin e modernizimit të FA. Ministri sqaroi se nuk ka kërcënim serioz dhe kërkoi që të mos bëhej panik, duke theksuar se jemi vend i NATO-s.

“Është në kuadrin e modernizimit të FA, rritjes së kapaciteteve tona, plotësimit të objektivave që Shqipëria ka në raport me NATO-n. Sistemi raketor antitank “Javelin” po prodhohet nga kompania amerikane, më e madhja në botë e industrisë ushtarake Lockheed Martin dhe ne kemi bërë porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë për forcimin e FA, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit tone.

Nuk është se ka ndonjë kërcënim konkret qe mos të krijojmë panik, ne jemi një vend në NATO, ne kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi të mbrojtur, sepse na mbron neni 5 i traktatit të NATO-s, sipas të cilit hapësira e NATO-s është e paprekshme, por ne natyrisht do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance defensive”, u shpreh ministri Peleshi.

Ministri njoftoi gjithashtu se do të ketë edhe blerje të tjera apo donacione nga partneri strategjik i Shqipërisë, SHBA apo nga partnerë të tjerë në NATO.

I pyetur në lidhje me kërkesën për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO, ku Shqipëria është vend anëtar, Ministri i Mbrojtjes tha se vendi ynë do të përkrahë linjën e Aleancës.

“Ne jemi një aleat i vogël në NATO, por që gjithmonë jemi dhe do të jemi në linjë me partnerët tanë strategjikë, SHBA të cilët janë dhe orientuesit të linjës që ne përkrahim në raport me zhvillimet e NATO-s. Një nga politikat e NATO-s që ne e mbështesim është politika e “dyerve të hapura”, kështu që Suedia dhe Finlanda janë dy shtete sovrane të pavarura me standarde të larta politike apo ligjorë, por dhe standardeve ushtarake”, theksoi Peleshi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!