Zëvendës ministrja e Turizmit, Vilma Bello thotë se Shqipëria tashmë është një destinacion turistik i konsoliduar. Në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, Bello u shpreh se harta gjeografike e turistëve që vizitojnë vendin tonë është zgjeruar, me numrin më të lartë nga Azia.
“Jo vetëm përgjatë këtij viti edhe në të shkuarin ka pasur vëmendje intensive të mediave ndërkombëtare për të bërë një paraqitje të një destinacioni që nëse në fillimet e veta ngjallte kuriozitetin e turistëve për ta vizituar si një vend i panjohur, tani po kthehet në trendin e një destinacioni të konsoliduar. Kjo ka rritur vëmendjen sepse janë media ndërkombëtare dhe ka sjellë një hartë të ndryshuar të turistëve që e vizitojnë Shqipërinë. Nëse më parë kemi pasur turistë prej rajonit ose Evropës, tashmë gjeografia nuk dallon nga të gjitha kontinentet. Do të doja të veçoja rritje nga turistët aziatikë, 131 përqind rritje. Ka pasur rritje nga vende si SHBA, Franca, Turqia, Holanda, Spanja, Anglia, të cilat në fakt më parë s’e kanë pasur Shqipërinë si destinacionin më të përzgjedhur të tyre.“, tha Bello.
Ajo shtoi se nuk flitet më për një sezon turistik 3-4 mujor, por shtrihet gjatë gjithë vitit.
“Tashmë ka filluar një rritje e turistëve që nga muaji Mars, deri në nëntor gati shumë i plotë. Kemi parasysh që struktura akomoduese, që janë të konsoliduara, që janë të maturuara në tregun e turizmit, por edhe me një shërbim të mirë, dhe ofertë të mirë turistike.”, u shpreh ajo./abcnews.al