“Shqipëria, pjesë e tregut turistik ndërkombëtar”, Vathi: Duhen politika të sakta për zhvillimin e turizmit, më shumë promovim

schedule14:29 - 20 Qershor, 2024

schedule 14:29 - 20 Qershor, 2024

Anëtar i Bordit të Shoqatës së Tur-operatorëve, Besnik Vathi thotë se Shqipëria është tashmë pjesë e tregut turistik ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ai tha se vendi ynë i ka të gjitha resurset për të ofruar një larmishmëri produktesh turistike por shtoi se është e nevojshme që të ndërmerren politika të sakta për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.

“Tashmë Shqipëria është pjesë e tregut turistik ndërkombëtar dhe tërheq interesin e turistëve të huaj si një destinacion i pëlqyer për të gjitha aspektet e turizmit, jo vetëm për sezonin veror, por edhe për turizmin malor, historik, të monumenteve. Vazhdimisht Shqipëria ka përbërë me potencialet dhe resurset që ka, një larmishmëri në produktin turistik shqiptar. Kemi një ofertë të pasur që njihet në tregun e huaj dhe mundësitë për t’u vizituar i ka më të mëdha edhe me hapjen e fundit të aeroportit të Tiranës dhe rritjen e kompanive loë cost, ka bërë që Shqipëria të jetë një konkurrente dinjitoze me larmishmërinë e turizmit shqiptar.”, u shpreh Vathi.

Duke u ndalur te raporti i INSTAT për rritjen e netqëndrimeve nga turistët, ai tha se është i nevojshëm ndërtimi i një database për turistët.

“Problemi i shifrave nga viti në vit bëhet akoma më i vështirë sepse nëse ne i referohemi shifrave të atyre që hyjnë. Për shembull 10 milionë të vitit të kaluar dhe nëse nga këta 5 milionë kanë qenë tranzitë dhe që nuk kanë fjetur asnjë natë, apo nëse 2 milionë do të jenë shqiptarët me pasaportë të huaj që vijnë në Shqipëri dhe flenë në shtëpitë e tyre, atëherë shifrat dhe netqëndrimet në hotele janë të vështira për t’u kalkuluar pa pasur një shifër reale të turistëve të ardhur. Pasi do të shqetësohemi edhe për të ardhurat për turistë dhe për netët e qëndrimit. Është me rëndësi një database jo thjesht për ta ditur si kuriozitet, por është e domosdoshme të ndërtosh politika të sakta në turizëm, të kesh informacionin e saktë edhe me netqëndrimi edhe me të ardhura për turistë, edhe nga vijnë turistët.“, shtoi ai.

Më tej, ai apeloi për më shumë promovim nga institucionet shtetërore.

“Ndërhyrja e institucioneve shtetërore në promovimin e Shqipërisë të ishte më i fortë. Ne nuk kemi akoma reels të prodhuar nga organet shtetërore, nga bashkitë, që duhet realisht të promovojnë vlerat që ka zona, Shqipëria dhe të krahasuara me rajonin por të para nën optikën e një institucioni shtetëror.“, shtoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!