Ndërsa Shqipëria përfundon mandatin e saj të parë dyvjeçar si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit, ministri Hasani ka ndarë një video mesash në rrjete sociale.
“Ne arritëm të sjellim një zë të fortë dhe të besueshëm në Këshillin e Sigurimit, duke rritur profilin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke çimentuar partneritetet tona strategjike dhe duke forcuar pozicionin tonë si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon, e një aleat dhe partner i besueshëm për Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Mesazhi i plotë i Igli Hasanit:
“Dëshiroj të ndaj, me një krenari të veçantë, këtë mesazh nga kjo Dhomë, ku gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka punuar së bashku me anëtarë të tjerë dhe ka luajtur një rol aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. E udhëhequr nga parimet dhe vlerat e saj, Shqipëria ka luajtur një rol dinjitoz, i cili është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë miqtë dhe aleatët, si dhe nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.
Ne bëmë pjesën tonë duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi, edhe nëse kjo do të thoshte t’u dilnim përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë. Për Ukrainën, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara, ne mbrojtëm fort e me vendosmëri kauzën ukrainase, sepse ajo ishte e drejtë, sepse ajo përfaqëson gjithçka të rëndësishme për ne.
Gjatë këtyre dy viteve, ne ngritëm me vendosmëri avancimin e agjendës së grave për paqe dhe siguri; respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar, të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien, ndryshimet klimatike, sigurinë kibernetike, agjendën rinia paqja dhe siguria, si dhe përmirësimin e metodave të punës së Këshillit të Sigurimit. Mbi të gjitha, ne arritëm të sjellim një zë të fortë dhe të besueshëm në Këshillin e Sigurimit, duke rritur profilin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke çimentuar partneritetet tona strategjike dhe duke forcuar pozicionin tonë si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon, e një aleat dhe partner i besueshëm për Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht ekipin tim të përkushtuar në Nju Jork të udhëhequr nga Ambasadori Ferit Hoxha dhe të gjithë shërbimin e jashtëm shqiptar.
Ndaj me çdo shqiptar kudo ku ndodhen, nderin e pamasë që kemi përfunduar me sukses një nga detyrat më impenjuese në politikën e jashtme, mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit në kohëra kaq sfiduese për mbarë globin.
/abcnews.al/