Shqipëria po përballet me kushte të vështira atmosferike si pasojë e motit të keq, i cili ka sjellë reshje intensive shiu dhe problematika në disa zona të vendit. Një nga qytetet më të prekura është Durrësi, ku autoritetet vendore dhe qendrore janë angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektuan nga afër situatën në hidrovorin e ri të Porto Romanos. Gjatë inspektimit, ministrja Koçiu bëri me dije se të dy hidrovoret e Bashkisë Durrës po punojnë me kapacitet të plotë për të përballuar prurjet e shtuara të ujit dhe për të shmangur përmbytjet.
Sipas saj, ndërhyrjet në terren vijojnë pa ndërprerje, me forcat e emergjencave civile dhe strukturat vendore që janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo situate problematike që mund të krijohet si pasojë e motit të keq.
Ndërkohë, paralelisht ka nisur edhe procesi i vlerësimit të dëmeve materiale, me qëllim evidentimin e pasojave dhe marrjen e masave të nevojshme për mbështetjen e qytetarëve të prekur.


