Shqipëria notë verbale për gjuhën e ministrit britanik, MEPJ: Retorika e përdorur cënon frymën e bashkëpunimit

schedule12:28 - 16 Janar, 2023

schedule 12:28 - 16 Janar, 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka thirrur në ministri dhe i ka dorëzuar ambasadorit britanik, Alastair King-Smith një notë verbale lidhur me deklaratat e ministrit të emigracionit britanik, Robert Jenrick. Sipas ministrisë, gjuha e përdorur cënon frymën e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.

Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.”, njofton ministria.

Çfarë tha ministri britanik?

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shteteve të huaja. Dje vizitova një qendër emigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta, emigrantët e paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, tha ai.

Pas këtyre deklaratave reagoi Xhaçka duke thënë tha se ishte e papranueshme gjuha e përdorur ndaj ndaj kundër shqiptarëve.

“E tronditur përtej fjalës kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdor një gjuhë të tillë për disa vota më të mjera. Me thirrjet “Gjeni #Shqiptarin, ndaloni #Shqiptarin”! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave Shqipëri, Britani, që vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, kontributin e tij të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm!”, tha ajo.

Kjo vjen një muaj pasi kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi që Tirana dhe Londra kanë arritur një marrëveshje për emigrantët shqiptarë. Më kryesorja është se Britania e konsideron Shqipërinë si një vend të sigurt dhe për këtë arsye nuk e sheh të arsyeshme të kërkojnë azil. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!