Shqipëria prej dy ditësh ndodhet në pushtetin e ujit me përmbytje masive si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, ka theksuar nevojën për një planifikim të ri buxhetor për të rritur vigjilencën institucionale ndaj fatkeqësive natyrore. Ai vuri në dukje se bashkitë duhet të parashikojnë një përqindje të konsiderueshme të buxhetit për mbrojtjen civile, duke marrë parasysh historikun e zonave. Prefekti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një vlerësimi të ri për të siguruar përdorimin efektiv të transferta nga buxheti qendror.
“Bashkitë kanë detyrë që 4 përqind të buxhetit t’i kenë për mbrojtjen, mund të jenë edhe 5 ose 6 përqind, në varësi të historikut të këtyre zonave. Vitet e fundit, pas tërmetit, qeveria ka dhënë vëmendje përmes transferta që delegohen nga buxheti qendror.
Në Korçë, vetëm për vitin e kaluar, këto transferta kanë qenë 50 milionë lekë të rinj. Ka ardhur koha që të bëhet një planifikim buxhetor për ato zëra që duhen shtuar, me qëllim rritjen e vigjilencës institucionale. Duhet të ketë një vlerësim të ri.”


