Shqipëria, në sistemin e pagesave në euro/ Banka e Shqipërisë: Anëtarësohemi brenda vitit

schedule13:45 - 15 Tetor, 2024

schedule 13:45 - 15 Tetor, 2024

Shqipëria pritet të jetë pjesë e sistemit  europian të pagesave brenda këtij viti.Kjo do të sigurojë për qytetarët dhe bizneset kryerjen e pagesave në kohë më të shkurtër dhe disa herë më ulëta  se ato aktuale.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi takime me  Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Evropian të Pagesave, dhe z Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit pranë Komisionit Evropian, në Bruksel, në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro.Në takime u theksua se Shqipëria është një ndër 3 vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë avancuar bindshëm drejt anëtarësimit në SEPA, dhe pritet që në muajt e ardhshëm të aderohet në të.

“Pjesëmarrja në SEPA është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të hartuar nga Komisioni i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe një objektiv afatgjatë për Bankën e Shqipërisë dhe vendin tonë. Prandaj, Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë standardet e larta të vendosura nga SEPA për sa i përket efikasitetit dhe sigurisë së pagesave. Ekonomia shqiptare është shumë e ndërlidhur me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ky anëtarësim ndihmon në uljen e ndjeshme të kostove të pagesave me BE-në dhe zonat e lidhura me të, nëpërmjet SEPA-s.” 

Përtej rëndësisë politike në kuadër të integrimit evropian të vendit, pjesëmarrja në SEPA ofron pagesa ndërkufitare në Euro, me të njëjtat kosto si ato brenda vendit dhe pas anëtarësimit, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët.Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave në sistemin europian të pagesave , mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim.

Po ashtu vlerësohet që lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare me të. Përfitime nga kjo nisme pritet të kenë edhe emigrantët të cilët do të mund të kryejnë transferta me kosto disa herë më të ulëta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!