TIRANË- Shqipëria po afrohet çdo ditë e më shumë më pranë Bashkimit Evropian. Në Bruksel këtë të martë u hap grupkapitulli i katërt, i cili lidhet me “Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme”
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj e ftuar në “Money Report” në ABC News me gazetaren Genta Dobra analizoi procesin integrues, ndërsa tha se BE-ja duket që e ka në fokusin e saj kryesor procesin e zgjerimit.
Sipas saj, këtë sinjal e kanë kuptuar shumë mirë vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre dhe Shqipëria.
“BE e ka në qendër të vëmendjes këtë objektiv të saj, por edhe vendet e Ballkanit janë tepër aktivë për të shfrytëzuar momentin. Me ndryshimet e reja, por dhe me nevojat që ka vetë Evropa për të qenë e unifikuar. BE duhet të jetë në një lartësi, të cilën vitet e fundit e ka humbur disi. Shqipëria do të marrë mbështetje financiare në rrugën drejt integrimit. Të gjitha investimet që bëhen në Shqipëri e ndihmojnë ekonominë shqiptare”, tha Nunaj.
Ajo theksoi se hapja e grupkapitujve ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ky është padiskutim një imazh i mirë për vendin.
Sipas saj, stabiliteti ekonomik dhe ai politik ka përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe kjo ka çuar në rritjen e investimeve të huaja.
“Kur kemi nivele të larta integrimi, qasje pozitive nga BE, por dhe raporte pozitive është një tregues që i shërben përmirësimit të klimës së të bërit biznes. Stabilitetit ekonomik dhe ai politik e ka përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri”, tha ajo./abcnews.al

