SHBA- Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive duke rritur investimet në mbrojtje. Në fjalën e tij në asamblenë parlamentare të NATO-s, presidenti Bajram Begaj vlerësoi rolin e aleancës për sigurinë dhe stabilitetin në botë.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj misionit dhe vlerave të Aleancës. Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe do të vazhdojmë të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane. Është një domosdoshmëri strategjike të forcohet dhe të mbahet në mënyrë të qëndrueshme investimi në mbrojtje dhe siguri. Shqipëria e ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes; jemi duke e rijetësuar industrinë tonë të mbrojtjes dhe jemi duke investuar në infrastrukturën ushtarake dhe në korridoret strategjike të transportit për të rritur lëvizshmërinë ushtarake”
Përveç përmbushjes së detyrimeve ai anëtarë të NATO-s, presidenti Begaj, rikonfirmoi edhe njëher tjetër angazhimin e vendit tonë krah aleatëve strategjikë; Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është një çështje gjeografie, por një çështje besueshmërie, kohezioni dhe vizioni strategjik. Shqipëria mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj përparimit të integrimit euroatlantik. Jemi krenarë për partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria e vlerëson këtë partneritet strategjik të ndërtuar mbi besim, angazhim të përbashkët dhe një vizion të përbashkët”, tha ai.
Begaj u ndal edhe tek Kosova, pavarësinë e të cilës e konsideron një realitet të pakthyeshëm.
“Kosova sot është një shtet i pavarur sepse Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca vepruan me shpejtësi dhe vendosmëri në një moment kritik. Është një realitet i pakthyeshëm dhe një pasqyrim i asaj që mund të arrijë një angazhim i vendosur ndërkombëtar. Ajo tregon gjithashtu fuqinë e vendosmërisë kolektive dhe përgjegjësinë që ndajmë në mbrojtjen e paqes, kur ajo është më e brishtë”, tha ai.
Po ashtu, presidenti i Republikës, tha se Shqipëria do të jetë në krah të Ukrainës teksa theksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Ballkan por në Europë dhe Botë./abcnews.al

