Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, Hasani: Treguam se edhe vendet e vogla mund të kontribuojnë

schedule10:28 - 13 Shkurt, 2024

schedule 10:28 - 13 Shkurt, 2024

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani mori pjesë në takimin përmbyllës “Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, kontribut për paqen dhe sigurinë globale gjatë kohërave më sfiduese”. Hasani theksoi se Shqipëria e mori mandatin në një kohë të vështirë për botën, megjithatë arriti t’i realizojë me sukses detyrat e saj.

Ministri shtoi se me mandatin e suksesshëm, u tregua se edhe vendet e vogla mund të kontribuojnë. Ai u ndal edhe tek agresioni rus në Ukrainë, teksa shtoi se Shqipëria tregoi në Këshillin e Sigurimit gadishmërinë për të kontribuuar.

“Ka një fushë ku vendet e vogla mund të konkurrojnë edhe me fuqitë më të mëdha të botës si të barabarta nëse u jepet mundësia. Kjo është fusha e ideve dhe parimeve. Aty jemi të gjithë të barabartë të konkurrojmë e të dëgjohemi. Besoj pikërisht kjo zgjedhje strategjike për të kontribuar në Këshillin e Sigurimit me ide e duke mbrojtur fort parimet e së drejtës ndërkombëtare e multilateralizmit, ka qenë çelësi i suksesit të mandatit tonë. Shqipëria diti të tregojë, që edhe vende të vogla, kanë se çfarë të kontribuojnë në debatet mbi çështjet e mprehta që shqetësojnë sot botën, kur u jepet mundësia ta bëjnë këtë në forume si Këshilli i Sigurimit. Ne patëm mundësinë të punojmë për avancimin e axhendës së grave për paqe dhe siguri, duke ndarë me mbarë botën mësimet e nxjerra nga eksperienca jonë si një vend që ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në fuqizimin e në përfshirjen e grave në jetën politike dhe  publike.”, u shpreh Hasani.

Fjala e plotë e ministrit Hasani:

Diçka më shumë se një muaj më parë, Shqipëria përfundoi mandatin e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vitet 2022 – 2023.

Për herë të parë, pas thuajse 70 vjetësh si vend anëtar i OKB, vendi ynë pati mundësinë të bëhet pjesë e organit më të lartë dhe më të rënsësishëm të Kombeve të Bashkuara, që ka një përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e paqes e sigurisë në botë.

Ishte një ngjarje vërtet e veçantë në historinë e Shqipërisë dhe unë sot dua t’u bëj një falënderim të posaçëm të gjithë atyre përfaqësuesve të Shërbimit tonë të Jashtëm që punuan shumë për ta kthyer këtë mandat në një histori suksesi.

E dua po ashtu, t’ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë përmes jush të nderuar ambasadorë këtu të pranishëm, të gjithë miqve, partnerëve e aleatëve me të cilët kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer gjatë këtyre dy vjetëve për të avancuar një agjendë të pasur kauzash dhe prioritetesh.

Ka një të vërtetë themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vendet e vogla, si Shqipëria, zakonisht janë të destinuara të jenë nganjëherë thjesht dëshmitare të ngjarjeve apo zhvillimeve të mëdha të kohës.

Kjo është e kuptueshme sepse vende të vogla si ne, nuk mund të konkurrojnë në procese ecuria e të cilave varet nga burimet, mjetet, përmasat,  popullsia, apo nganjëherë dhe  forcat ushtarake.

Ama, ka një fushë ku vendet e vogla mund të konkurrojnë edhe me fuqitë më të mëdha të botës si të barabarta nëse u jepet mundësia. Kjo është fusha e ideve dhe parimeve. Aty jemi të gjithë të barabartë të konkurrojmë e të dëgjohemi.

Besoj pikërisht kjo zgjedhje strategjike për të kontribuar në Këshillin e Sigurimit me ide e duke mbrojtur fort parimet e së drejtës ndërkombëtare e multilateralizmit, ka qenë çelësi i suksesit të mandatit tonë.

Shqipëria diti të tregojë, që edhe vende të vogla, kanë se çfarë të kontribuojnë në debatet mbi çështjet e mprehta që shqetësojnë sot botën, kur u jepet mundësia ta bëjnë këtë në forume si Këshilli i Sigurimit.

Ne patëm mundësinë të punojmë për avancimin e axhendës së grave për paqe dhe siguri, duke ndarë me mbarë botën mësimet e nxjerra nga eksperienca jonë si një vend që ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në fuqizimin e në përfshirjen e grave në jetën politike dhe  publike.

Ne patëm mundësinë të kontribuojmë në debatin për ekstremizmin e dhunshëm duke ndarë me botën mësimet e nxjerra nga eksperienca jonë shekullore si një vend ku besimet e ndryshme, të krishterë e myslimanë jetojnë si vëllezër në paqe e harmoni të plotë.

Punuam fort për të theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut kudo e gjithmonë, ashtu siç punuam për t’u dhënë zë e jetë përparësive të tjera që lidhen me ndryshimet klimatike, sigurinë kibernetike, llogaridhënien, paqen dhe sigurinë e të rinjve, si dhe avancimin e metodave të punës të Këshillit të Sigurimit.

Por pati një çështje që shënjoi mbi të gjitha punën tonë në Këshill, një çështje për të cilën kemi punuar me guxim, seriozitet e dinjitet: agresioni i paligjshëm rus kundër Ukrainës.

Shqipëria e filloi mandatin e saj në një kohë kur një pjesë e botës ende refuzonte të besonte që në shekullin e 21, një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, e si i tillë me një përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e paqes e sigurisë në botë, mund të ndërmerrte një akt të tillë agresioni që bota nuk e kishte njohur që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Dy muaj pas fillimit të angazhimit tonë në Këshillin e Sigurimit, Federata Ruse, nisi agresionin e saj dhe denoncimi i këtij akti kriminal, izolimi i Rusisë dhe mbështetja diplomatike e Ukrainës u bënë kryefjala e punës tonë.

U bënë kryefjala e punës sonë,  sepse ky agresion erdhi në shkelje të çdo ligji e të drejte ndërkombëtare.

Sepse ai minoi vetë themelet e arkitekturës europiane të sigurisë dhe të sistemit ndërkombëtar të ndërtuar mbi rregulla, mbi ato rregulla që vetë organizata u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.

Dhe për një popull si shqiptarët që kujtimet e luftës e masakrave të viteve 1990 i kishim ende të freskëta, ky sulm preku e zgjoi emocione e kujtime të dhimbshme.

Padyshim, u bë kryefjala e punës sonë sepse ky agresion kriminal bie ndesh me gjithçka ku ne besojmë, mbi gjithçka për të cilën kemi punuar në gjithë këtë përpjekje të këtye viteve të fundit.

Unë dua që në këtë pikë t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen tonë të thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për besimin që na dhanë duke na bërë bashkëpenëmbajtës për dosjen e Ukrainës.

Dua po ashtu t’u shpreh falënderimet tona dy anëtarëve të tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Francës e Mbretërisë së Bashkuar e vendeve të tjera në Këshill e jashtë tij pa bashkëpunimin e të cilave puna jonë do të kishte qenë shumë më e vështirë.

Së fundi, por aspak për nga rëndësia, dua t’u shpreh mirënjohjen tonë për mbështetjen bujare që na kanë dhënë gjatë përgatitjeve e punës sonë në Këshill, dy partnerëve tanë të rëndësishëm strategjikë, dy vendeve mike, Italisë e Gjermanisë.

Unë po e mbyll fjalën time duke ju uruar me gjithë zemër Sllovenisë dhe Zvicrës sa me shumë suksese në mandatin e tyre në Këshillin e Sigurimit.

Çdo përpjekje për paqe është investimi më i mirë për të ardhmen, dhe Shqipëria e ka pasur këtë parasysh çdo ditë gjatë kohës që kemi shërbyer në Këshillin e Sigurimit.

 

 

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!