Shqipëria në Arbitrazh, ekspertët: Pse qeveria po humb gjyqet më të rëndësishme

schedule21:25 - 19 Janar, 2021

schedule 21:25 - 19 Janar, 2021

Këtë të martë, “Vetting” në ABC trajtoi çështjet, në numër jo të vogël, që vendi ynë ka në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Ekspertët tregojnë por ashtu se cilat janë arsyet që qeveria shqiptare po humb disa prej gjyqeve më të rëndësishme në arbitrazhin ndërkombëtar.

Në çfarë situate ndodhet Shqipëria, krahasuar me vendet e rajonit, lidhur me paditë dhe vendimet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit?

Lexo edhe: VETTING/ Gjyqet e Arbitrazhit

“Në raport me vendet e tjera të rajonit, shteti shqiptar ka aktualisht mbi dhjetë çështje në arbitrazh ndërkohë që vendet e rajonit kanë diku tek 2-3 çështje,” shprehet avokatja Jonana Qeleshi.

Këtë krahasim e bëjmë për të kuptuar se sa të kujdesshme janë qeveritë e këtyre vendeve, në hartimin e kontratave të tilla. Fatura e dëmshpërblimit nga mosrespektimi i kontratave do të sillte qindra miliona euro për qeveritë e tyre si në rastin e Shqipërisë.

Cilat janë arsyet, që qeveria shqiptare humb disa prej gjyqeve më të rëndësishme në arbitrazhet ndërkombëtare ?

Juristët renditin disa arsye kryesore, që kryesisht lidhen me hartimin e kontratave, zbatimin dhe më pas zgjidhjen e tyre në mënyrë të njëanshme nga qeveria.

“Mosmarrëveshjet e vogla zgjidhen më mirë kur janë të tilla sesa kur akumulohen dhe bëhen të mëdhaja për të shkuar në arbitrazh. Duhet një strukturë e specializuar që të marrë pjesë si në draftimin e termave të kontratës, ashtu edhe në ndjekjen e zbatimin për të lexuar kontratën në gërmë dhe në frymë…,” thotë Flutura Kola Tafaj, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë.

 “Fakti që ka gjykime e çështje në arbitrazh tregon që ka pasur një qasje jo të mirë të hartimit të kontratave nga ana e shtetit shqiptar. Pjesa e kontratave është çështje negocimi mes palëve, kemi investitorin që negocion me organin përkatës të shtetit shqiptar. Dhe, përgjithësisht janë investitorët e huaj që kanë insistuar për përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit në këto kontrata,” thotë avokatja Qeleshi

“Na ka qëlluar ters ne shqiptarëve, sepse me ç’duket të gjitha ato procese që kanë rezultuar me detyrimin për të paguar nga shteti paskan qenë të kontraktuara keq, të negociuara keq, të ndërprera keq. Ndoshta qëllimshëm,” shprehet Dritan Shano, ekspert i ekonomisë.

Ekspertët aludojnë, se historia e dyshimte e vendimeve të arbitrazhit mund të jetë edhe një histori korrupsioni. Dyshimi vjen edhe prej faktit, se shumica e kontratave të shtetit shqiptar me kompanitë e huaja që kanë përfunduar në arbitrazh, janë nënshkruar në kohë tranzicioni, në ditë të vështira për vendin, kur vëmendja përqendrohej në çështje mbijetese si ajo në vitin 1991 e më pas në vitin 1997, apo në kohën e qeverisë tranzitore në vitin 2004.

Ndërkohë, ka raste të tjera kur kompani fantazmë paraqiten si investitorë të mëdhenj dhe zhduken sapo nënshkruajnë kontratën. Rishfaqen, qoftë edhe pas dekadash, për t’i kërkuar miliona euro shtetit shqiptar.

Ekspertët kanë vërejtur se kompanitë e huaja, kur nënshkruajnë kontrata me shtetin shqiptar, kërkojnë arbitrazhin si garanci, pasi nuk besojnë në sistemin e drejtësisë shqiptare.

“Çdo shtet preferon që të ketë juridiksionin vendas që të zgjidhin konfliktet përkatëse. Por, investitorët e huaj, si për shkak të besimit të ulët në sistemin gjyqësor, kanë preferencën e tyre për klauzola arbitrazhi.”

Institucionet shqiptare i anashkalojnë tërësisht hapat e rëndësishme, që do të kishin shmangur faturat financiare. Sipas ekspertëve, kjo ndodh nga paaftësia, por shpesh edhe nga aferat korruptive të kompanive në bashkëpunim me drejtuesit e institucioneve të shtetit shqiptar.

Shqipëria ka avokatë profesionistë që mund të garantojnë mbrojtje të Shqipërisë në arbitrazh, por sipas ekspertëve, studiot e huaja ligjore me përvojë janë ende të nevojshme për beteja të këtij niveli siç është gjykata e arbitrazhit.

Hijet e korrupsionit në procesin e kontraktimit të studiove ligjore janë një tjetër arsye që shton kostot financiare të taksapaguesve shqiptarë.

“Kontraktimi i studiove të huaja, ka shumë rëndësi. Duhet të merren studiot më prestigjoze me rekorde optimale në mbrojtjen e çështjeve në arbitrazh, për fusha të caktuara…,” thotë Ledina Mandija, ish-avokate e shtetit.

Edhe pse shteti shqiptar ka në tavolinë fatura financiare qindramilionëshe, ende nuk ka asnjë person që të përgjigjet për këtë dëm të madh ekonomik.

Asnjë drejtues institucioni apo grup pune që merret me hartimin dhe vlerësimin e kontratave nuk është hetuar për të treguar nëse është fajtor për dëmin ekonomik të shkaktuar.

“Nëse personat përgjegjës nuk do të mbajnë përgjegjësi ekonomi, kuptohet që përgjegjshmëria e tyre me punën nuk është kaq e madhe. Duhet të ketë një qasje të caktuar nga shteti që personat përkatës të mbajnë përgjegjësi,” sipas avokates Joana Qeleshi.

Kurse, Mandija thotë: “Një jurist, kur e lexon një kontratë dhe kur sheh korrespondencën që mbështet pretendimet mes palëve, e ka të qartë se ku të çon një zgjidhje kontrate apo heqje e ndonjë të drejte.”

Prej 30 vitesh përsëritet e njëjta histori: Kompani të huaja vijnë të investojnë në Shqipëri, por pa filluar mirë punë, kontrata prishet në mënyrë të njëanshme nga shteti ynë.

Më pas, kompanitë të cilat nuk kanë investuar asnjë euro në Shqipëri, vetëm me një projekt në letër, i drejtohen gjykatës ndërkombëtare duke kërkuar qindra miliona euro dëmshpërblim.

Ndërkohë, në Shqipëri ende nuk ekziston një ligj për arbitrazhin. Është tentuar disa herë të hartohen projektligje, por asnjëherë nuk është finalizuar me miratim në sallën e Kuvendit. Të gjitha vendet e rajonit kanë një kuadër ligjor të përcaktuar për këto çështje, ndërsa në Shqipëri operohet me kodin e procedurës civile.

“Miratimi i këtij ligji është duke u diskutuar të paktën që në vitin 2007. Aktualisht ministria e Drejtësisë ka një draft që nga institucione të ndryshme ka pasur komente të shumta në lidhje me ridraftimin e tij. Dhe ne, ende nuk kemi një ligj as për arbitrazhin vendas e as për atë të huaj,” thotë avokatja Qeleshi.

Për ekspertët nuk është problem mungesa e një ligji, por kultura e qeverisjes përmes arrogancës e injorancës.

“Kontratat e fundit të prishura në këtë vend nuk kanë lidhje fare me atë zonën me shkrim të vogël, përkundrazi kanë lidhje me arrogancën e shtetit. Me autoritetin e inflatuar që mendon se ka qeveria…që i ka dhënë të drejtën vetes që të bëjnë çfarë të duan me operatorët privatë dhe t’i mbyllin atyre biznesin, thjesht dhe vetëm sepse kanë mundësinë ta bëjnë..,” shprehet Shamo.

Por fatura të cilën paguajnë shqiptarët, është po aq e madhe sa moszbatimi i kontratës nga kompania e huaj.

Avokatura e shtetit nuk jep asnjë informacion lidhur me këto çështje. Ajo që dihet me siguri është se vetëm në dy muaj kalendarikë, Shqipërisë i janë faturuar mbi 150 milionë euro, nga gjykatat ndërkombëtare e arbitrazhit: 109 milionë euro të Bechettit, dhe 44 milionë dollarë të kompanive Copri dhe Aktor, që u kontraktuan në vitin 2012 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Vetëm në rastet e njohura që trajtuam, janë 505 milion euro, të cilat Shqipëria mund t’i paguajë pas humbjes në arbitrazh. Ndërkohë, të tjera çështje që janë sot në arbitrazh mund t’i shtohen kësaj shifre që dëmton buxhetin e shtetit.

E gjitha kjo, për shkak të korrupsionit qeveritar dhe paaftësisë së administratës shtetërore. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!