NEW YORK- “Shqipëria ndodhet në një moment historik për arritjen e ëndrrës dhe aspiratës së shqiptarëve prej 35 vjetësh për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”.
Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në intervistë të dhënë për emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla.
Ai theksoi se procesi i integrimit të vendit në BE nuk mund t’i dedikohet një individi, por realizimin e këtij objektivi strategjik është detyrë e çdokujt, përfshirë dhe të gjitha forcat politike.
Kreu i shtetit shprehet besimplotë, që Shqipëria do arrijë t’i përmbyllë me sukses të gjithë kapitujt brenda vitit 2027 dhe po ashtu të bëhemi pjesë me të drejta të plota në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, brenda kësaj dekade.
Ai apeloi që Kuvendi i Shqipërisë duhet të udhëhiqet nga transparenca dhe të japë llogaridhënie të plotë.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Ju me të drejtë thatë që sa i madh pushteti i ekzekutivit aq më aktive dhe kontrolluese duhet të jetë opozita. Duhet thënë se në këtë nisje të re legjislative parlamenti hyri në një reformim dhe komisioni i dikurshëm i integrimit nuk do drejtohet më siç ka qenë tradita nga opozita, por nga vetë maxhoranca. Dhe unë nga pikëpamja e problemeve të shpejtësisë, pasi BE duket ndonjëherë më i interesuar se ne për integrimin e Shqipërisë, por nga pikëpamja e kontrollit të pushteteve shumë mendojnë se ky është një hap pas.
Presidenti Bajram Begaj: Unë do të thoja që Shqipëria ndodhet në një moment historik për arritjen e ëndrrës dhe aspiratës së shqiptarëve prej 35 vjetësh për tu bërë pjesë e BE. Ky proces transformativ i shoqërisë sonë, nuk mund të jetë proces që do i dedikohet një individi apo një partie politike. Unë jam i lumtur që në Shqipëri të gjitha forcat politike e kanë në misionin e tyre anëtarësimin në BE dhe nuk kemi asnjë kundër. Dhe ky opinion politik, bazuar edhe te opinioni i mbarë shoqërisë që kërkojnë që integrimi dhe anëtarësimi në BE do të shoqërohej me një transformim cilësor të shoqërisë sonë të të gjithë sektorëve do të çojë në realizimin e atij objektivi strategjik që me të drejtë ju e përmendët në mbylljen e gjithë kapitujve në 2027 dhe për të bërë të mundur që brenda 2030 të jemi anëtar. Është një moment i volitshëm, një moment që përkon jo vetëm me dëshirën tonë për të qenë pjesë e BE, por edhe me mendimin politik të të gjithë vendeve të BE. Unë kam takuar disa drejtues shtetesh dhe presidenten e BE dhe më konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për këtë rrugëtim cilësor të Shqipërisë dhe patjetër vendimin politik që po, Shqipëria është duke ecur shumë mirë për t’u bërë pjesë e BE.
Sokol Balla: Ju i bëtë thirrje opozitës të bashkëpunojë dhe të jetë konstruktive në procesin e integrimit. Për fat të keq e pamë që opozita mund të ketë edhe argumentet e saj, një sa e përmenda, por për fat të keq shohim sërish zhurmën e vjetër të bllokimit.
Presidenti Bajram Begaj: Unë do të doja që Kuvendi të kryejë misionin e vet, atë mision për të cilin e ka të bazuar në Kushtetutë. Kuvendi duhet të jetë transparent, llogaridhënës, të jetë i hapur për të gjithë faktorët, shoqërinë civile për median, për të hartuar ligje në bashkëpunim dhe është shumë e rëndësishme që Kuvendi të jetë bashkëpunues dhe ligjet që nga pikëpamja cilësore duhet të jenë të tilla që të mbrojnë interesin kombëtar dhe të qytetarit.
Sokol Balla: Pra e vini re te opozita sidomos PD, që ka bojkotuar takimet që ju i thërrisni vazhdimisht, ka kontestuar çdo dekret që bëni. A ju shqetëson kjo? Që kjo është një opozitë që nga njëra anë ju kërkon ta përfshini por kur ju e përfshini ajo thjesht ju akuzon dhe nuk pranon të vijë?
Presidenti Bajram Begaj: Mendoj që në punën e tij Presidenti i Republikës nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet personale, duhet të zbatojë gjithmonë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën. Unë në detyrat e mia, si ushtarak dhe si mjek kam patur si mision shërbimin ndaj Atdheut, detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.
Sokol Balla: Dhe nuk ju shqetëson asgjë tjetër.
Presidenti Bajram Begaj: Aspak, nëse unë zbatoj detyrimin kushtetues nuk më shqetëson asgjë tjetër.
Sokol Balla: Unë nuk dua t’ju tërheq në debate të politikës shqiptare, por duhet thënë që disa individë të opozitës, i përzgjedhur i grupit parlamentar, që është edhe personi që duhet të vijë më shpesh në zyrën tuaj, z.Bardhi ka diçka gati personale dhe të gjithë mund të pyesin se duket që ndaj asaj që ai bën ndaj jush, përveç të tjerave anës politike etj, duket se ka diçka personale, ka realisht diçka personale mes jush?
Presidenti Bajram Begaj: Unë do të thoja që secili nga ne duhet të udhëhiqet nga ushtrimi i të gjitha përgjegjësive sipas detyrës që ai ka. Unë në punën time do të zbatoj vetëm Kushtetutën, e cila thotë se Presidenti i Republikës do të jetë neutral, i paanshëm dhe kurrë nuk do të përzihem në politikën e ditës as në komente të caktuara.
Sokol Balla: Pra, le ta themi është thjesht zhurmë..
Presidenti Bajram Begaj: Unë them që secili duhet të bëjë detyrën e tij./abcnews.al


