Pas takimit dhe fjalimit me presidenten e Republikes së Maqedonisë së Veriut, Begaj mbajti fjalën e tij përpara parlamentit maqedonas. Ai vlerësoi Marrëveshjen e Ohrit si arritje historike dhe nënvizoi se përfaqësimi adekuat i shqiptarëve dhe rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së mbeten thelbësore për stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike.
“Ashtu si Liqeni i Ohrit, kjo pasuri e çmuar e UNESCO-s, na tregon se nuk njeh vija ndarëse. Ohri na fton që, ashtu siç mbrojmë ekosistemin e tij, të mbrojmë bashkë edhe ekosistemin politik. Siguria dhe prosperiteti ynë janë të ndërlidhura. Ne ndjekim me vëmendje zhvillimet tek ju, ashtu siç ju tek ne. Është 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, themeli për dy vendet. Ajo marrëveshje dëshmoi se dialogu mposht krizën dhe se barazia nuk e dobëson shtetin.
Shqipëria e vlerëson këtë marrëveshje si një arritje historike. Ju jeni pjesë e parlamentit që bëri histori dhe krijoi një referencë duke ndërtuar një shoqëri pluraliste dhe demokratike. Nga atëherë është bërë shumë, por duhet të riafirmojmë angazhimet tona.
Shqipëria beson se përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucione dhe zbatimi i ligjit për gjuhën si dhe barazia nuk janë çështje teknike, por elemente thelbësore. Koha na ka dhënë mësimin se vendimmarrjet e balancuara janë zgjidhja më e mirë. Faktori shqiptar ka qenë dhe është faktor shtetformues, bashkëpunues dhe demokratik, dhe mbetet kontribues kyç për stabilitetin politik dhe avancimin euroatlantik.
Një shtet multietnik funksionon kur secili është i përfaqësuar. Shqiptarët në RMV dhe maqedonasit në Shqipëri janë një urë lidhjeje dhe bashkëpunimi mes nesh. Ky është kapitali që duhet ruajtur dhe forcuar. Zgjerimi në BE është një proces natyral, i merituar dhe me përfitime nga të dyja anët. Europa është standard, jo destinacion. RMV ka bërë zgjedhje të guximshme dhe ka marrë vendime të vështira, dhe Shqipëria ju mbështet në rrugën e integrimit.”


