Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale se Universiteti i Mjekësisë në Tiranë ka nënshkruar një marrëveshje me Universitetin Semmelweis të Budapestit për përgatitjen e studentëve dhe shkëmbimin e stafeve mjekësore.
“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes një prej universiteteve të mjekësisë më në zë në Europë, Universitetit Semmelweis të Budapestit dhe Universitetit të Mjekësisë së Tiranës është një lajm i mirë për përgatitjen e studentëve tanë, por edhe për shkëmbimet e vyera të stafeve mjekësore, si një garanci më shumë për rritjen e cilësisë së mësimdhënies por edhe cilësisë së shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend.
Grupet e përbashkëta të punës, nën udhëheqjen e prof. Béla Merkely, Rektor i Universitetit Semmelëeis dhe prof. Arben Gjatës, Rektor i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, do të çojnë përpara bashkëpunimin konkret në fushën e kërkimit shkencor, doktoraturave të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet dy universiteteve”, shkruan ministrja. m.v/Abcnews.al