Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Shqipëria luan të hënën në Skoci, aty ku trajneri Panuçi shënoi gol për Italinë

schedule18:44 - 8 Shtator, 2018

schedule 18:44 - 8 Shtator, 2018

Skocia e njeh mirë trajnerin e Shqipërisë, Kristian Panuçi. Ai shënoi pikërisht në Gllazgou, një gol që kualifikoi Italinë në finalet e Europianit.

E njeh shumë mirë stadiumin ku do të luajë këtë herë.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, Kristian Panuçi ishte lojtar i Italisë, dhe i dha kualifikimin për në Europian, me golin shënuar në “Hampden Park” të Gllazgout ndaj Skocisë, pikërisht në minutat shtesë.



Trajneri I Shqipërisë u pyet për këtë, ndërsa të hënën skuadra e tij do të jetë pikërisht në Gllazgou, dhe italiani vlerësoi lart atë gol, por e quajti diçka të kaluar.

Gjithsesi, Panuçi, do të ketë mbetur i kënaqur nga fakti që Skocia u shkatërrua nga Belgjika, madje brenda në fushën e saj, edhe pse trajneri kuqezi e quajti thjesht një miqësore.

Prova në “Hampden Park” ishte vërtet e rëndë, me belgët që dominuan plotësisht takimin, duke shënuar 4 gola, e duke mos pësuar asnjë.

Romelu Lukaku, Eden Hazar dhe sulmuesi i ri, Miçi Baçuai, ishin ata që realizuan, duke detyruar shpesh skocezët që të bënin gabime.

Kjo ishte disfata më e rëndë në shtëpi për britanikët në 45 vjet, ndërsa mediat patën kritika se përse u zgjodh pikërisht Belgjika si kundërshtar në prag të ndeshjes me Shqipërinë.

Këtë e thotë “Deili Meil”, por edhe gazetat e tjera.

BBC ndërkaq thekson se “Skocia duhet të fitojë ndaj Shqipërisë nëse dëshiron të ketë shpresë për kualifikim nga grupi në Ligën e Kombeve”.

“Shqipëria vërtet është mundur 0-3 me Kosovën, 1-4 me Ukrainën dhe 0-3 në shtëpi me Izraelin, – shton BBC, – por e mundi 3-0 Izraelin jashtë fushe, si dhe e theu në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve”.

Trajneri skocez, Meklish deklaroi se pavarësisht nga kjo që ndodhi, skuadra e tij do të reagojë ndaj Shqipërisë, dhe se tregoi shenja të mira edhe në sfidën ndaj belgëve.

Përsa I përket Panuçit, ai zhvilloi këtë të shtunë një stërvitje me kombëtaren shqiptare, me dyer absolutisht të mbyllura.

Ai nuk deshi jo vetëm mediat, por as kamerën e Federatës, për të mbajtur në fshehtësi të plotë përgatitjet për duelin e së hënës.

Shpresa e tij është që lojtarët të shlodhen sa duhet e të mos kenë probleme fizike. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!