Shqipëria vijon të bëjë jehonë në mediat e huaja për potencialet turistike. Së fundmi e përditshmja britanike “The Bolton News” e rendit vendin tonë si një nga destinacionet më çmimet më të lira për të kaluar pushimet e verës.
“Të shkosh me pushime është emocionuese, por mund të jetë gjithashtu e kushtueshme”, shkruan gazetarja Katie Collier në artikullin e saj.
Gazetarja sugjeron britanikët se ekzistojnë shumë opsione me fluturime të disponueshme nga shumë linja ajrore.
“Një studim i fundit i Komisionit Evropian të Udhëtimeve tregoi se pothuajse tre të katërtat e britanikëve po planifikojnë të udhëtojnë për pushime gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, pavarësisht presioneve të vazhdueshme financiare të krizës së kostos së jetesës”, shkruhet në artikull.
Shqipëria renditet në mesin e 9 destinacioneve europiane më të mira, ku pushimet nuk do të kushtonin shumë.
Ushqimi në restorant, zakonisht kushton rreth 6 euro për person, ndërsa një birrë 1 euro.
Gazeta britanike e përshkruan Shqipërine si “Kroacine e ardhshme”, ndërsa ndan të njëjtat brigje të Adriatikut si dhe ka të njëjtat cilësi tërheqëse për pushuesit, duke përfshirë plazhet me rërë të bardhë, ujërat e kristaltë, male dhe shkëmbinj mahnitës.
Sipas The Bolton News destinacioni i ri mesdhetar nuk është prekur ende nga rritja e çmimeve si në Dubrovnik, Kroaci dhe mbetet një nga vendet më të përballueshme për t’u vizituar në Evropë.
Në artikull përmendet plazhi i Sarandës dhe Ksamilit si ndër më të njohurat. “Ata janë më shumë se 170 milje larg nga kryeqyteti, Tirana, i cili ofron fluturime nga Mançesteri, si dhe janë vetëm gjysmë ore me traget nga ishulli grek i Korfuzit”./abcnews.al