Shqipëria ka dy kërkesa për Kubën: Na mbështesni në OKB dhe njihni Kosovën

schedule10:56 - 25 Tetor, 2020

schedule 10:56 - 25 Tetor, 2020

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti në një takim ambasadoren e Kubës, Caidad Yaira Cueto Milian me rastin e fillimit të detyrës së saj ku i parashtroi dy kërkesa. Zyra e shtypit njofton se, Ruçi theksoi interesin e Shqipërisë për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, përmes nxitjes së procesit të konsultimeve politike dhe bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, turizmit, kulturës etj.

Gjithashtu, Ruçi kërkoi mbështetjen e Kubës për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për vitet 2022-2023. Kryetari i Kuvendit kërkoi  që Kuba të rishikojë qëndrimin e saj dhe të njohë Republikën e Kosovës si edhe të mbështesë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Ambasadorja Caidad Yaira Cueto Milian shprehu dëshirën e  qeverisë së Kubës për zgjerimin e  marrëdhënieve me Shqipërinë dhe premtoi mbështetjen e vendit të vet për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për vitet 2022-2023. Ambasadorja Milian u shpreh se çështjen e njohjes së Kosovës do t’ia paraqesë qeverisë së Kubës./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!