Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një intervistë në “NewsLine” në ABC News, ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Krisafi u shpreh se një element i rëndësishëm është vullneti i shfaqur nga BE-ja për zgjerimin, ndërsa theksoi se edhe vendet kandidate duhet të përmbushin detyrimet e tyre.
Duke folur për afatet e procesit, eksperti theksoi se edhe nëse negociatat përfundojnë në vitin 2027, hapat e mëtejshëm kërkojnë kohën e tyre, pasi procesi i anëtarësimit përfshin procedura të tjera.
“Me rëndësi është që ka një vullnet nga ana e BE, sepse më parë nuk e kemi pasur një gjë të tillë. Dhe ka pasur njëlloj paqartësie brenda Unionit. Por më pas me rëndësi është edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor sepse duhet të bëjnë edhe ato pjesën e tyre.
Por çështja ka të bëjë me procesin, nëse mbyllen negociatat me 2027 atëherë hapat e tjerë duhan kohën e tyre. pra është çështje procedura që merr disa vite dhe kështu funksionon për të gjithë. Në 2027 mbarojnë negociatat dhe duhen 2 vite më pas për procesin tjetër”, tha ai.
Më tej ai theksoi se Bashkimi Evropian po nxit vendet e Ballkanit drejt anëtarësimit. Gjithashtu shoi se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme.
“BE po tregon që ka hapur dyert nga ana e saj dhe mbetet të shihet se sa janë të gatshëm vendet. Ne shohim që Serbia nuk duket se ka vullnet apo dëshirë që të jenë pjesë e BE. Vende të tjera mund të kenë mendjen edhe te Rusia. Por Shqipëria ka treguar se rruga e saj është drejt BE”, shtoi mes të tjerash ai.


