Shqipëria jashtë listës gri/ Eksperti: Roli i drejtësisë themelor në këtë proces, të konfiskohen pasuritë e vëna në formë kriminale

schedule14:35 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 14:35 - 27 Dhjetor, 2023

SHQIPËRI– Institucionet e drejtësisë kanë luajtur rol kyç për daljen nga lista e parandalimit të pastrimit të parave. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, u shpreh se bashkëpunimi ndërinstitucional ka ndihmuar procesin dhe ka rritur besimin te ligji.

Ajo shtoi se është e nevojshme hartimi i një strategjie kombëtare, me anë të së cilës duhet të luftohet dhe goditet fenomeni i pastrimit të parave si dhe financimi i terrorizimit.

Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj foli për këtë proces në një intervistë për emisionin “Money Report”, i cili fokusin kryesor e ka te financat dhe ekonomia.

Ai tha se daljen e Shqipërisë nga lista gri e ka ndihmuar drejtësia e re, e cila përmes goditjeve ndaj paligjshmërisë ka rritur besimin e institucioneve ndërkombëtare për ekonominë tonë. Ai shtoi se kjo qasje e përmirëson dhe e konsolidon shëndetin e ekonomisë në çdo aspekt.

“Roli i drejtësisë është themelor në këtë proces. Ka qenë një punë e mirë dhe është për t’u përshëndetur fakti që kemi dalë nga lista. Ky është një element pozitiv për të gjithë vendin dhe ekonominë në tërësi”, tha ai.

Vakaj shtoi se hartimi i një strategjie kombëtare për luftimin e pastrimit të parave është e domosdoshme, ndërsa shtoi se fokusi kryesor duhet të vihet në goditjen e rasteve dhe konfiskimin e pasurive abuzive.

“Absolutisht po!  Strategjitë në goditjen e pastrimit të parave kanë qenë pjesë e vazhdueshme në bashkërendimin të punëve të organeve  ligjzbatuese në Shqipëri. Fokusi është dhe duhet të jetë në goditjen e produktit kriminal përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale. Fokusi, pra, është dekurajimi i aktivitetit kriminal përmes konfiskimit të pasurisë” tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!