Nga Lorenc Vangjeli
Është të paktën hera e dytë në dy muaj e fundit që vendi ndeshet me një sulm të organizuar kibernetik që synon shërbimet e tij dixhitale. Në fillim bllokimi i e-Albanias dhe tani edhe ndërhyrja në sistemin TIMS.
Në korrik dhjetëra shërbime dixhitale u bënë të pamundura për shkak të hakerimit të tyre, kurse këtë fundjavë, me dhjetëra mijëra drama vetjake u konsumuan në pikat e kalimit kufitar, në Rinas e gjetkë, sepse ra sistemi i kontrollit të pasaportave. Pa përmendur këtu vërshimin në publik të të dhënave private të qytetarëve në vitin e kaluar, kur ende nuk është bërë e qartë si ndodhi ajo gjë.
Këto janë vetëm dy episode kulmore, por sulme të ngjashme, në një shkallë më të vogël dhe me dëme më pak të dukshme, mund të kenë ndodhur edhe më herët, njëlloj sic mund të parashihet se ato mund të përsëriten edhe më vonë.
E konfirmuar me burime zyrtare lokale dhe gjithashtu, e certifikuar edhe nga aleatët strategjikë të vendit, SHBA, BE apo NATO, tani nuk ka më dyshime: vendi është nën një agresion të egër hakmarrës që vjen nga disa mijëra kilometra larg dhe konkretisht nga Republika Islamike e Iranit.
E thënë me fjalë të tjera, Shqipëria është nën efektin e një lufte të pashpallur, nën peshën e një lufte hibride që dihet sesi nisi, por është e pamundur të parashihet sesi do të vijojë më tej.
Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, të cilat janë të tensionuara që prej gati një dekade, kur vendi u bë strehë e anëtarëve të MEK, opozitës iraniane. Paralelisht vijojnë përpjekjet për të përforcuar sistemet e saj mbrojtëse në hapësirën dixhitale, fillimisht duke kërkuar rikthimin e normalitetit dhe më pas, duke synuar identifikimin e mjeteve dhe mënyrave për të shmangur tentativa të ngjashme në të nesërmen.
Këto nuk janë thjesht veprime që dikton protokolli që duhet zbatuar në raste të tilla. Shqipëria nuk i ka marrë vetëm këto hapa. Një vend që prej kohësh ka transferuar sovranitet, natyrisht nuk është plotësisht sovran në vendimmarrje dhe “i vetmuar” në masat e planifikuara të bëjë. Bashkëpunimi me aleatët nuk është dëshirë, por domosdoshmëri që diktohet vec të tjerash, edhe nga natyra e kësaj lloj lufte moderne.
Ka të paktën dy dekada që mjedisi i sigurisë ndërkombëtare kërcënohet nga kjo ndeshje me mjete jo konvencionale, që nuk përfshin trupa në tokë dhe avionë në qiell, që e sfumon kufirin mes ndeshjes dhe paqes, por që është po aq e rrezikshme dhe fatale sa lufta klasike. Dezinformacioni, përdorimi i mediave dhe rrjeteve sociale si mjete dhe popullsia civile dhe kërcënimet jo ushtarake si objektiv i agresionit, janë disa nga tiparet e kësaj lufte të ndyrë, që në thelb kërkojnë krijimin e vakuumeve mes institucioneve dhe qytetarëve, që synojnë trazira dhe kaos. Vetëm naivët duhet të kenë para syve një kallashnikov që ta quajnë armë, pa kuptuar se një kompiuter mund të jetë shumë herë më i frikshëm sesa një ushtri me kallashnikovë përballë.
Në këtë lloj lufte moderne, në luftën hibride që kërcënon të gjithë njëlloj e pa përjashtim, pavarësisht ngjyrës së teserës në xhep, pavarësisht parapëlqimeve politike, ideologjike, simpative personale apo inateve individuale, ka një nevojë ulëritëse që edhe përgjigja të jetë kolektive. Nuk do shumë mend e mund për të kuptuar se në hapësirën publike të Tiranës, Irani ka aleatët e tij të pashpallur shqiptarë.
Disa madje edhe të paguar dhe shumë shtrenjtë, madje. Ata individë e grupime, që nga njëra anë dënojnë agresorin dhe nga ata tjetër luten për suksesin e tij i bashkon bindja idiote se dështimi i qeverisjes në këtë përpjekje, është automatikisht fitore e tyre. këtë ngazëllim nuk e fshehin goxha “politikanë” dhe i jepen me gaz të njëjtit ngazëllim, shumë gazetarë.
Asgjë nuk ka ndryshuar as në ngutin opozitar për revolucionin e stinës që pritet të nisë dhe as në ndeshjen e maxhorancës me të që i kujton kundërshtarit vetëm derën nga do të duhet të dalë.
Kjo është një mendësi e frikshme, kjo është një sëpatë tmerri që bie mbi degën ku jemi ulur të gjithë dhe që artikulohet nga politika dhe në hapësirën e rrjeteve sociale. Ajo kujton lutjen tipike ballkanase për nxjerrjen e një syri, me kusht që tjetri të humbasë të dy sytë.
Ky është momenti për të kujtuar se shpesh, të shtyrë më shumë nga ligësia se padija, si të yshtur nga një mallkim i paprerë, shqiptarët i kanë gjetur armiqtë e tyre më të egër, në mes të vetë shqiptarëve.
Apeli që do të kërkonte qoftë dhe minutin e vetëm të paqes brenda vendit sa kohë që vendi është në luftë, do të ishte akt normal. Një paqe e përkohshme në Tiranë, as nuk do të conte në harresë bëmat e qeverisjes dhe as do të ishte riblerje e opozitës. Do të ishte veprim patriotësh, në një vend ku shpesh tradhtarët janë nderuar si heronj. Ndryshe, padyshim që këto ditë do të kujtohen duke thënë: ishte një kohë kur Shqipëria ishte në luftë, por shqiptarët vazhdonin armiqësitë me veten si në paqe. /abcnews.al