Gentian Selmani mund të ishte larguar edhe vjet nga Laçi, pasi pati oferta nga Franca, Qipro dhe Zvicra. Gjithsesi hezitoi fillimisht dhe më pas qëndroi te Laçi. Portieri i kombëtares këtë verë pranoi propozimin e Menemenspor në Turqi dhe atje po luan rregullisht. Pikërisht ky ka qenë edhe objektivi i Selmanit, të shkojë diku ku të jetë zgjedhja e parë për portën.
I riu, në një intervistë të dhënë për “Albeu.com”, tregon se gjërat po shkojnë mirë deri më tani. “Deri tani faleminderit zotit çdo gjë po shkon mirë. Turqit janë njerëz që e duan futbollit dhe e ndjekin shumë. Gjithashtu dhe infrastruktura, stadiumet fushat e stërvitjes dhe të gjitha janë të një niveli të mirë dhe ndihem shumë mirë”, tregon Selmani.
Portieri nuk “fluturon” kur vjen puna për tek objektivat: “Ekipi ka ardhur nga liga e dytë edhe primare ka qëndrimin në këtë ligë dhe pozicionimin sa më lart në tabelë”. Në lidhje me të ardhmen e tij, Selmani thotë: “Për momentin jam pjesë e Menemenspor dhe mendoj vetëm të stërvitem në maksimum dhe të ndihmoj ekipin në çdo ndeshje, duke bërë paraqitje të mira. Normalisht do doja të luaja në një nivel më të lart, por çdo gjë vjen me kohën. Duke bërë ndeshje të mira dhe me pak fat, mund të arrihet gjithçka”.
Selmani është grumbulluar edhe me Shqipërinë, si nga ish-trajneri Panucci, ashtu edhe tani nga Edoardo Reja: “Çdo ftesë të kombëtares e pres me shumë kënaqësi. Është një ndjesi shumë e mirë të stërvitesh me atë staf profesionist, por gjithashtu edhe me lojtarë që luajnë në nivele të larta. Është një eksperiencë që të ndihmon shumë. Tani kam marrë ftesën nga U-21 dhe do jem i grumbulluar atje për të dhënë maksimumin tim”.
“Gardiani” është nga ata që punon shumë dhe karriera e tij ka qenë në rrugën e duhur deri më tani: Gjithçka e kam arritur duke punuar shumë, por pres të rritem dhe të arrij akoma më shumë në nivelin profesional. Suksesin ia dedikoj familjes time në radhë të parë dhe të gjithë miqve të mi, të cilët kanë qenë pranë meje në çdo moment”.
Superiorja mbetet sërish në fokusin e Selmanit, edhe pse nuk mund t’i ndjekë dot të gjitha ndeshjet. “Kategorinë Superiore e kam ndjekur sa kam pasur mundësi. Të gjitha ekipet janë me pikë aty-aty dhe nuk mund të them nëse ka favorit. Shpresoj që ish-ekipi im, Laçi, të arrijë sa më lart në renditje. U uroj sa më shumë suksese dhe fat të gjithë djemve dhe presidentit Laska, i cili ka shpenzuar shumë për atë klub”.
Selmani, në fund zbulon edhe ritualin e tij para çdo ndeshjeje. “Para ndeshjeve gjithmonë komunikoj me familjen time dhe i veçanti mund të them se është profesor Perlat Musta, i cili në çdo prag ndeshje më jep këshilla dhe me uron fat”, ka përfunduar portieri 21-vjeçar, i cili këtë sezon është aktivizuar në 10 ndeshje në kampionatin turk me Menemenspor. /abcnews.al