Gazetari Artur Nura ka ngritur shqetësime të forta mbi gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe kulturën demokratike në vend, gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News. Ai theksoi se ligjet, sipas parimit bazë, ndërtohen mbi një moral të caktuar, por sipas tij, në realitetin shqiptar mungon pikërisht ky moral, çka e bën situatën në drejtësi të rëndë dhe problematike.
Nura u ndal te roli i drejtësisë si pushtet që duhet të balancojë dhe të kontrollojë ekzekutivin dhe legjislativin, duke e konsideruar shqetësuese faktin që diskutohet për mungesë morali pikërisht në këtë sistem. Ai vuri në dukje edhe dallimin mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se Italia ka një kulturë të konsoliduar referendare dhe i jep sovranit të drejtën e vendimmarrjes për çështje të rëndësishme, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, mungon kjo traditë dhe ekziston një hendek i thellë edhe në aspektin juridik.
“Në të gjithë librat thuhet që ligjet bëhen mbi një moral të caktuar, këtu vetëm moral nuk po na del. Unë besoj që ajo që duhet të trajtojmë sot, është mungesa e muralit dhe kjo në sistemin e drejtësisë është e rëndë. Kur mendon që drejtësia duhet të rregullojë ekzekutivin dhe legjislativin dhe të flasësh për moral, është e rëndë. Unë ndryshimi mes Shqipërisë dhe Italisë është shumë i madh, sepse ata kanë një kulturë referendale dhe ia japin të drejtën sovranit, kurse tek ne kur është bërë referendumi i fundit?! Nuk kemi kulturë referendale. Edhe në aspektin juridik kemi një hendek shumë të madh”, tha Nura.
Nga ana tjetër, analisti Frrok Çupi foli për dy forma të problematikës: rastet kur korrupsioni shkel ligjin dhe rastet kur vetë ligji korruptohet. Sipas tij, situata bëhet edhe më e rëndë kur kemi të bëjmë me ligje të korruptuara, pasi pasojat prekin drejtpërdrejt funksionimin e shtetit dhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
“Kemi të bëjmë me dy lloj terrenesh, kur korrupsioni shkel ligjin dhe rasti i dytë kur ligji korruptohet. Ne kemi ligje të korruptuara dhe kjo të bën hatanë e madhe”, u shpreh Çupi.


