Jo vetëm për të pushuar por edhe për të jetuar. Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion të mirfilltë për të huajt. “Busines Insader” shkruan se Shqipëria është absolutisht e mrekullueshme dhe ende ndihet e paprekur nga turizmi masiv, krahasuar me destinacione të tjera evropiane si Barcelona, Londra apo Roma.
Falë plazheve të veçanta përgjatë bregdetit jugor, Alpeve në veri dhe mikpritjes së restoranteve shumë më të lira se në vendet fqinje, Shqipëria është bërë një destinacion turistik gjithnjë e më tërheqës.
Të dhënat zyrtare shkruan “Busines Insader” tregojnë se Shqipëria priti 11,7 milionë vizitorë të huaj në vitin 2024, një rritje prej 15,2% krahasuar me një vit më parë. Nga këta, 306 000 turistë ishin nga Amerika.
Vendi ynë tashmë është pozicionuar si një destinacion edhe për të jetuar sidomos për amerikanët sepse, së pari, është më i sigurt dhe shumë i larmishëm. Kostoja e lirë e jetesës në krahasim me Shtetet e Bashkuara është gjithashtu një përfitim i madh.
Strehimi në Shqipëri vlerësohet shumë më i përballueshëm sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një apartament mund të sigurohet me 500 dollarë në muaj ose sa gjysma e vlerës që kushton në SHBA.
Po ashtu edhe fluturimet rezultojnë më të lira. Ndërkohë që politika e vizave është një lehtësi për të gjithë ata që përzgjedhin Shqipërinë për të jetuar. Qytetarët amerikanë mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë deri në një vit. Kur shoqërohen me vizën Shengen të Evropës , një leje udhëtimi afatshkurtër që mbulon 29 vende, amerikanët mund të dalin lirisht nga Shqipëria dhe të rihyjnë në vend, duke rivendosur dhe zgjatur qëndrimin e tyre.

