Shqipëria ka hyrë prej kohësh në skenën e madhe të sportit. Pas finales së Konferencë Ligë që u zhvillua në Tiranë në vitin 2022, të gjithë sytë do të drejtohen në vendin tonë, që në fillim të majit do t’i japë “startin” edicionit të 108 të “Giro D’Italia”, një prej garave më të vjetra dhe më të famshme të çiklizmit Botëror.
Pas prezantimit në Romë, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, zyrtarizimi i itinerarit ka marrë një vëmendje të madhe mediatike, në Itali dhe gjithë botën.
Të përditëshmet përtej Adriatikut, e cilësojnë që tani një sukses “Xhiron e Italisë 2025”. Një “Xhiro Perrallë” titullohet që në faqen e parë gazeta më e madhe sportive “la Gazzetta Dello Sport”, ndërsa të përditëshmet e tjera i japin zë shifrave të këtij edicioni, që pritet të ndiqet nga rreth 700 milion spektatorë nga 200 vende të ndryshme të botës.
E këto pritshmëri do të nisin nga Durrësi më 9 maj, ndërsa tre etapat e para do të zhvillohen në Shqipëri.
Qindra çiklistë dhe mijëra të tjerë, pjesë e stafeve të skuadrave dhe tifozët e tyre do të përshkojnë 339.7 kilometra, në itinerarin që përfshin Tiranën dhe Vlorën bashkë me mrekullitë e rivierës shqiptare.
Më pas “Xhiro” do të transferohet në Itali ku do të zhvillohen edhe 18 etapat e tjera, që do të përshkojnë mijëra kilometra deri në vijën e finishit në Romë më 1 qershor, ku do të kurorëzohet edhe fituesi edicionit të 108 të garës së famshme të çiklizmit.