Shqipëria në SEPA/ Minxhozi: Formalizon ekonominë. Po punohet për të lidhur sistemet e pagesave me ato evropiane

schedule14:26 - 22 Nëntor, 2024

schedule 14:26 - 22 Nëntor, 2024

Shqipëria u bë një ditë më parë pjesë e sistemit europian të pagesave në euro, i njohur si (SEPA). Kryeministri Edi Rama përshëndeti këtë vendim, duke e cilësuar si një tjetër hap në rrugën drejt BE.

Zëvendës guvernatorja e parë në Bankën e Shqipërisë, Luljeta Minxhozi theksoi në një intervistë për “Money Report” tha se me këtë sistem, transaksionet bëhen më shpejt dhe me kosto më të ulët.

Ajo deklaroi se hapi i radhës është ndërlidhja e sistemeve me ato evropiane dhe për këtë Banka e Shqipërisë është tashmë në negociata me Bankën Qendrore Evropiane.

“Pagesa për transferimet janë hequr. Ajo që duhet të bëjmë është t’i kryejmë në formën e shpejtë këto transferta ekonomike me vendet e tjera. Sot jemi anëtarë institucionalisht. Ajo që duhet të bëjmë është të lidhim sistemet tona të pagesave me sistemet të tyre evropiane. Dhe procesi ka filluar. Banka e Shqipërisë është në negociata me Bankën Qendrore Evropiane për t’u bërë pjesë edhe e sistemit të transferimit të pagesave dhe është faza e fundit e realizimit të projektit për të qenë pjesë integrale e këtij sistemi. Infrastruktura që do të lidhë sistemin tonë të pagesave me ato evropiane do të marrë një kohë jo shumë të gjatë.”, u shpreh ajo.

E pyetur se sa kursen ekonomia shqiptare nga përfshirja në këtë sistem, ajo shtoi:

“Për shumë nga pagesat ulen dhjetë fish në madhësinë e tyre nga sa është sot. Pagesat janë të ndryshme në forma të ndryshme sepse sistemi i pagesave përfshin një seri formash të kryerjes së pagesave. Rritet shpejtësia e kryerjes së transaksioneve dhe ulen kostot. Kjo është lehtësi e madhe për biznesin.”

Sipas saj, përfshirja në këtë sistem formalizon ekonominë pasi bizneset nuk do të mund të përdorin kanale jo formale për pagesat.

“Do të formaizojë ekonominë dhe nuk do të lejojë asnjë biznes që të gjejë kanale jo formale për dërgimin e pagesave.”, u shpreh Minxhozi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!