Shqipëri-Maqedoni ndërlidhen me rrjet gazi, nënshkruhet memorandum 

schedule14:43 - 21 Shtator, 2018

schedule 14:43 - 21 Shtator, 2018

Në pritje të fillimit të punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400  kilovolt Elbasan-Manastir, Shqipëria dhe Maqedonia ndërmarrin hapat e para edhe për lidhjen e tyre me rrjet gazi.

Pas takimit që Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi me ministrin maqedonas të ekonomisë, u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë mbrritur në fazat fianle të procesit të tenderimit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV dhe në këtë shembull duhet ecur edhe me gazin. Këtu e vuri theksin ministri i infrastrukturës dhe energjisë Damian gjiknuri gjatë takimit me Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë Kreshnik Bekteshi.

“Ky nënshkrim i sotëm mes dy kompanive tona të gazit, është jashtëzakonisht i nevojshëm. Ne kemi mundësi që me këtë projekt të përbashkët që sapo nisim dhe me këtë bashkëpunim të mund të aplikojmë edhe në Bashkimin Evropian për mbështetje financiare pasi është një axhendë që përputhet plotësisht qoftë me procesin e Berlinit apo axhendën e konektivitetit rajonal. Jam i bindur se lidhja me gazsjellës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të jetë me shumë rëndësi për të dyja vendet.

Do të jetë një projekt shumë fizibël sepse pika e daljes afër Bilishtit apo Korçës do të jetë shumë pranë me kufirin e Maqedonisë, çka bën që projekti të ketë një kosto më të ulët por dhe përfitimet të jenë të mëdha”- nënvizoi ministri Gjiknuri.

Në vlerësimin e ministrit Bekteshi, Shqipëria dhe Maqedonia janë pjesë e Komunitetit të Energjisë nga ku rrjedhin edhe shumë obligime të cilat përmbushen vetëm përmes hapave konkrete.

“Marrë parasysh edhe procesin e Berlinit, ne si dy vende fqinje integrohemi, lidhemi me njëri-tjetrin jo vetëm me lartpërçues siç e theksoi zoti Gjiknuri por njëkohësisht fillojmë hapat për ndërlidhjen edhe me gaz”.

Memorandumi i firmosur mes Albgaz dhe Mer JSC Skopje parashikon ndër të tjera themelimin e një grupi pune të përbashkët të gazit; vlerësimin dhe hartimin e projekt idesë për linjën e interkonjeksionit ndërmjet dy vendeve si dhe përcaktimin e parametrave teknik. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!