Në një intervistë të dhënë për Kosova Press, ku ka komentuar zhvillimet e sigurisë rajonale ish presidenti shqiptar Alfred Moisiu ka kërkuar që Prishtina dhe Tirana Zyrtare të kenë një bashkëpunim më të madh ushtarak dhe një strategji të përbashkët mbrojtjeje. Sipas ish kreut të Shtetit Shqiptar, kjo është e vetmja mënyrë që mund të garantojë sigurinë e dy vendeve tona përball atyre që janë një kërcënim për stabilitetin e rajonit.
“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure.”, thotë ai.
Teksa u ndal tek sulmi i Banjskës dhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ish presidenti Shqiptar Alfred Moisiu deklaroi se Prishtina Zyrtare duhet të koordinohet me aleatët e saj për çdo hap, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Veprimet, politikanët e Kosovës duhet t’i koordinojnë me aleatët tanë, në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimin Evropian. Në fund të fundit, ata na duan pasi ata na ndihmuan që të krijojmë shtetin e Kosovës. Nuk e krijuan shtetin për ta copëtuar, sigurisht. Ama edhe ne duhet të dimë si të sillemi. Duhet të koordinojmë veprimet. Kjo nuk do të thotë se do të lëshojmë çdo gjë. Jo. Ama duhet të bisedojmë sepse çdo kryeneçësi është në dëmin tonë më shumë.”, shton ai.
Ish kreu i Shtetit Shqiptar bëri thirrje që palët të vijojnë angazhimin e tyre konstruktiv në Dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa tha se deklaratat e bëra nga pala serbe se Kosova është e tyre janë vetëm një ëndërr të cilën udhëheqja e Beogradit mundohet ta mbajë gjallë./abcnews.al