Kishte arsye që doli kundër. Ishte e ditur që më parë se Sylvinho nuk e deshi ndryshimin e propozuar nga UEFA për rritjen e numrit të lojtarëve në listat e kombëtareve për Kampionatin Evropian, teksa burime pranë stafit teknik “Kuqezi” kanë informuar ABC News, se braziliani është i shqetësuar sepse do ta ketë të vështirë të menaxhojë 26 lojtarë, aq sa do të jenë sipas rregullit të ri të vendosur në Nion.
Problemi kryesor i Sylvinho, sipas këtyre burimeve, është që kur të ndajë skuadrën në dy ekipe me nga 11 lojtarë, do t’i mbeten 4 futbollistë në tribunë, apo në stol, diçka që krijon probleme, teksa dihet se çdo lojtar dëshiron të jetë i angazhuar në ndeshje, e padyshim që nuk mund ta imagjinojë dhe ta pranojë që të mos përfshihet as në stërvitje.
Natyrisht, tekniku “Kuqezi” do të duhet të përshtatet me situatën e re, pasi numri i lojtarëve nuk do të jetë më 23, por 26. Kur ishin 23, i vetmi që mbetej jashtë stërvitjes ishte një portier.
Ndërkaq, Sylvinho dhe ndihmësit e tij, Zabaleta e Doriva kanë vazhduar punën me orë të zgjatura duke studiuar të gjitha ndeshjet e lojtarëve dhe kandidatëve për në kombëtare, në ekipet e tyre në Evropë e në botë. Ata përfunduan shqyrtimin e lojtarëve në Itali, në Angli e në Gjermani, për të vazhduar në fund me lojtarët në Spanjë, si Uzuni, Balliu e Bare.