Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në Kosovë, kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës më 30 maj për shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në reagimin e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së thuhet se disa nga misionet e tyre i kishin paraqitur më herët me qeverisë vlerësimet e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke treguar se qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit.
“Kemi vënë re se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin qeveria ende nuk e ka adresuar.
Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, jemi të keqardhur që qeveria e Kosovës nuk mirëpriti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim.
Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe mbajtësve të interesit të respektohen plotësisht.
Ne i kemi shprehur shqetësimet tona qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar qeverinë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë.
Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive të gjalla dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve që nuk kanë shumicën”, thuhet në reagim./abcnews.al