Shpresë për vaksinën eksperimentale të Covid 19 nga Moderna

schedule19:01 - 18 Maj, 2020

schedule 19:01 - 18 Maj, 2020

Kompania Moderna Inc tha të hënën se vaksina e saj eksperimentale për COVID-19 po jep premtime në fazën e hershme të provave me përmasa ende të vogla.

Vaksina e kësaj kompanie prodhon antitrupa që neutralizojnë virusin, të ngjashme me ato që gjenden te pacientët e shëruar.

Kjo kompani është në pararojë të përpjekjeve për zhvillimin e një trajtimi për koronavirusin dhe javën e kaluar fitoi miratimin e agjencive amerikane të shëndetit për një proces të përshpejtuar në përputhshmërinë me rregulloret.

Moderna shpreson t’i fillojë provat e avancuara në përmasa të mëdha në muajin korrik.

Aktualisht për COVID-19n nuk ekziston asnjë trajtim ose vaksinë e miratuar dhe ekspertët parashikojnë se vaksinë e sigurt dhe e efektshme mund të kërkojë 12 deri në 18 muaj për t’u zhvilluar.

Tetë pacientë që morën vaksinën eksperimetale të firmës Moderna treguan se kishin nivele antitrupash të ngjashme me ato në mostrat e gjakut të personave që ishin shëruar nga COVID-19, sipas rezultateve të para të nxjerra në studimin e kryer nga Institutet Kombëtare të Shëndetit pranë Uashingtonit.

Të 45 pjesëmarrësve në studim u dhanë nga tre doza të ndryshme të vaksinës dhe Moderna tha se kishte vënë re se imuniteti rritej me rritjen e dozës.

“Jemi duke investuar për të rritur shkallën e prodhimit dhe maksimalizuar numrin e dozave që mund të prodhojmë, për të ndihmuar në mbrojtjen e sa më shumë njerëzve nga SARS-CoV-2, tha Shefi Ekzekutiv i kompanisë Moderna, Stéphane Bancel.

Kompania ka nënshkruar marrëveshje me firmën farmaceutike zvicerane që punon me kontratë Lonza Group AG si dhe me qeverinë amerikane për të prodhuar sasi në masë të vaksinës së re.

Vaksina, mRNA-1273, rezulton gjithashtu se është përgjithësisht e sigurt dhe tolerohet mirë nga trupi në studimin e hershëm, tha kompania, e cila shton se nuk është raportuar asnjë efekt serioz anësor./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!