Është kthyer në një fiksim ndërtimi i një stadiumi ekologjik. Forest Green Rovers do të tentojë të marrë “OK” para Krishtlindjeve për stadiumin e ti, që mund të konsiderohej më i veçanti në gjithë rruzullin tokësor.
Raportohet se me 18 dhjetor do kërkohet të miratohet kërkesa për ndërtimin e stadiumit. Në qershor u hodh poshtë kërkesa e klubit anglez që garon në League Two. Arsyetimi ishte për shkak të zhurmave që do të krijoheshin, trafikut dhe ndikimit që do të kishte në peisazhin e zonës.
Ishte planifikuar që stadiumi të kishte 5 mijë ulëse druri, sikurse planifikohej një parking për 1700 makina. Ndër të tjera impianti do të kishte pranë edhe dy fusha stërvitore. Në fakt bëhet fjalë për një park ekologjik që ofron shumë gjëra.
Presidenti i klubit, Dale Vince, është munduar të tregohet bindës, duke e argumentuar si një mundësi që Forest Green Rovers të synojë ngjitjen një kategori më lart dhe si një shans për më shumë investime dhe punësime në zonën e Stroud.
Kërkesa në qershor u hodh poshtë dhe tani shpresohet që Këshilli këtë herë të ndryshojë mendim në dhjetor, ose në shkurt kur planifikohet që kjo çështje të kalojë në apel. /abcnews.al