“Shpëtoni Hong Kongun”, protestuesit i kërkojnë ndihmë Trump

schedule16:59 - 8 Shtator, 2019

schedule 16:59 - 8 Shtator, 2019

Protestuesit në Hong Kong i kanë kërkuar ndihmë presidentit Donald Trump. Ata kanë kërkuar që Shtetet e Bashkuara të dalin garant për respektimin e autonomisë së rajonit nga Kina dhe të sanksionojë politikanët kinezë që shkelin liritë e tij.

Protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong i kanë kërkuar ndihmë presidentit amerikan Donald Trump, teksa kanë marshuar të dielën në afërsi të konsullatës amerikane.

Disa prej manifestuesve kanë mbajtur parulla me shkrimet “President, shpëtoni Hong Kongun” dhe “Bëjeni Hong Kongun të madh sërish”, njësoj si parulla që shefi i Shtëpisë së Bardhë përdor për Amerikën.

Protestat, që kanë hyrë në javën e 14, kanë vazhduar pavarësisht se qeveria e Hong Kongut përmbushi disa nga kërkesat kyçe të qytetarëve. Turma e njerëzve ka ngritur flamuj amerikanë dhe i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të çlirojnë Hong Kongun nga Kina.

Ata i kanë kërkuar palës amerikane që të miratojë Aktin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Hong Kong, një ligj që do t’i kërkonte Uashingtonit të siguronte shkallën e lartë të autonomisë së rajonit, si dhe do të ekspozonte zyrtarët kinezë ndaj sanksioneve amerikane nëse konsiderohen përgjegjës për shkelje të lirive të rajonit.

Manifestuesit kanë kënduar himnin kombëtar amerikan dhe kanë insistuar për plotësimin e 5 kërkesave të tjera, pas përmbushjes së asaj për anulimin e ligjit të ekstradimit më herët gjatë javës.

Ndërkohë, qeveria në Kinë ka paralajmëruar vendet e tjera që të mos ndërhyjnë në këtë çështje. Pekini pretendon se situata në Hong Kong, një ish-koloni britanike që iu dorëzua Kinës në vitin 1997, është një çështje e brendshme kineze./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!