Barcelona arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme, ku të besuarit e Quique Setien mposhtën me rezultatin 1-0 Atletico Bilbaon. Ishte goli i Ivan Rakitic, ai që i dha fitoren katalanasve që tashmë janë sërish në krye të rendtijes, por me një ndeshje më shumë se sa Real Madridi.
Heroi i Barcelonës është shprehur shumë i lumtur pas ndeshjes për fitoren, por është i inatosur me veten e tij për formën jo të mirë që po kalon këtë sezon. “Nuk ishte aspak e lehtë, pasi ishim në vështirësi gjatë gjithë takimit. Jam shumë i lumtur që më në fund shënova golin e parë për këtë sezon. Më duket shumë e çuditshme që shënova për herë të parë në këtë pjesë të sezonit”, deklaron kroati.
”Golin dua t’ia dedikoj gruas dhe vajzave të mi, të cilat më kanë mbështetur shumë gjatë këtyre muajve të fundit. Jam i inatosur me veten, por nga ana tjetër më vjen mirë që e ndihmova ekipin në këtë moment kyç të sezonit. Është e vështirë ta fitosh La Ligën, kjo është arsyeja se pse është kampionati më i fortë në të gjithë botën”, mbyll Rakitic. /abcnews.al