Shpëtim Duro është një nga dy trajnerët nga Shqipëria që drejtojnë në Superligën e Kosovës. Tekniku i njohur tregon përvojën në shtetin tjetër shqiptar, në intervistën për ABC News-in.
Ekipin e mori në sezon e sipër. Shpëtim Duro ishte trajneri i radhës nga Shqipëria në Kosovë, me fatin për të drejtuar kampionët në fuqi të Dritës së Gjilanit, por edhe me pafatësinë për t’i marrë në një moment negativ. Skuadra pati start të keq të sezonit, dhe Duro u mendua si zgjidhja më e mirë.
“Patëm një moment shumë të mirë që ecën me shumë fitore radhazi. Menduam se mund t’u afroheshim dy skuadrave kryesuese siç është Prishtina me Ferronikelin, por me të njëjtën kohë edhe këto bënë një paraqitje të mirë nuk gabuan, kështu që dy-tre gabimet tona na kanë distancuar. Objektivi kryesor është për të fituar në Kupën e Digitalb Kosovës dhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në kampionat”, tha Duro.
Duro ka punuar në Shqipëri me shumë skuadra, por edhe në Maqedoni me Shkëndinë e Tetovës.
“Shqipëria është një hap para sa i përket infrastrukturës. Është normale me mediat, televizionet, por si futboll edhe në Maqedoni dhe në Kosovë ka jashtëzakonisht shumë lojtarë cilësorë. Kosova është një shtet që do ecë jashtëzakonisht shumë përsa i përket futbollit”, u shpreh Duro.
Në Shqipëri ka ankesa për financat, por edhe për gjykimin. Po në Kosovë?
“Janë shumë korrekt, mundohen të bëjnë maksimumin, por edhe siç kam dëgjuar skuadrat e tjera natyrisht nuk është niveli i pagesave si në Shqipëri. Deri në këto momente që flas, unë kam tre muaj atje, gjykimet kanë qenë korrekte. Në Shqipëri e kemi vuajtur. E kam vuajtur edhe unë në kurriz sidomos sezonin e kaluar me Flamurtarin”, u shpreh Duro.
A ka paragjykim në Kosovë për trajnerët e ardhur nga Shqipëria?
“Ka njerëz kështu të veçantë. Nuk dua t’i komentoj sepse nuk është pozitive akoma më shumë që ne jemi të gjithë shqiptarë. Nuk e përgjithësoj sepse siç ka njerëz të pakënaqur në Kosovë, ka edhe në Shqipëri. E rëndësishme është që po shkojmë mirë, na respektojnë. Pastaj xhelozia profesionale ndodh kudo”, tha Duro.
Sa e ndjek Duro Superligën shqiptare?
“Është një kampionat i ekuilibriuar. Partizani me meritë ështëë aty. Secila skuadër ka pasur krizat e veta. Skëndërbeu e kishte krizën në fund, Kukësi në fillim. Partizani që të jemi realistë në këto ndeshjet e fundit nuk ka shkuar mirë, por fati që janë afruar dhe të tjerët, është afruar Kukësi. Shikoj një luftë të fortë me rivalitet deri në fund për titullin”, tha Duro./abcnews.al