Tre persona janë dërguar me urgjencë në spital dhe banorët janë evakuuar nga shtëpitë e tyre pasi një shtëpi u përfshi nga flakët pas një shpërthimi që tronditi vendin, raporton Daily Mail.
Shërbimet e urgjencës dhe zjarrfikëset mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes në Illingworth, afër Halifax, West Yorkshire pak para orës 7.40 të mëngjesit.
Shpërthimi shkatërroi shtëpinë, në të cilën banonin një çift dhe djali i tyre adoleshent, dhe detyroi banorët në gjashtë shtëpi përreth të largoheshin nga pronat e tyre si një masë paraprake sigurie. Tre personat janë dërguar në spital, por nuk dihet ende gjendja e tyre.
Re tymi të mëdha shihen nga pamjet në vendit e ngjarjes, ndërkohë zjarrfikësit u përpoqën të shuanin flakët që kishin përfshirë shtëpinë.
Një banor i zonës tha se ai mori një telefonatë nga nëna e tij në Bradshaw, rreth një milje larg nga vendi ku ndodhi shpërthimi pasi ajo dëgjoi një ‘zhurmë të madhe’. Ekipet e zjarrfikësve po punojnë me policinë, ambulancën dhe autoritetet lokale.
Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin, raporton Yorkshire Live.
Ndërkohë vazhdojnë ende hetimet për shkakun e shpërthimit. Fqinjët kanë nisur të mbledhin fonde në Facebook për personat e dëmtuar nga shpërthimi që ndodhi në orët e para të mëngjesit./abcnews.al