Katër persona kanë rënë në prangat e policisë franceze lidhur me shpërthimin e ndodhur të premten e kaluar në qytetin e Lionit. Sipas mediave lokale, i dyshuari kryesor është një 24-vjeçar me kombësi algjeriane.
Policia në Francë ka arrestuar 4 persona në lidhje me pakon-bombë që shpërtheu javën e kaluar në Lion, duke plagosur 13 persona. Sipas raportimeve të mediave franceze, mes të arrestuarve është një djalë 24 vjeç, i cili dyshohet të jetë personi që vendosi pajisjen shpërthyese pranë dyqanit të premten e kaluar.
Policia ishte vënë në kërkim të tij pas mbikëqyrjes së një videoje ku i dyshuari, me maskë dhe me syze të errëta ndalonte biçikletën e tij pranë furrës dhe braktiste pakon.
24-vjeçari u ndalua në rrugë pas një ndjekjeje të gjatë të agjentëve të policisë, të cilët zgjodhën të mos e arrestonin në shtëpi nga frika se mund të kishte pajisje të tjera shpërthyese.
Burimet mediatike shkruajnë se i dyshuari është një student informatike me kombësi algjeriane, ndërsa të tjerët janë një minoren që ndjek një shkollë lokale, si dhe një burrë e një grua që dyshohet të jenë prindërit e një prej dy djemve.
Ndërkohë, prokurorët e njësisë së anti-terrorit po vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me policinë e Lionit dhe shërbimet sekrete për sigurinë e brendshme. Pakoja-bombë, e mbushur me vida, dado dhe bullonë, shpërtheu pranë dy pedonaleve të populluara në qendrën historike të Lionit, duke plagosur edhe një vajzë 8-vjeçare./ABC News Albania 24/7