Drejtori i Policisë së Elbasanit Ardian Çipa ka folur për mediat në lidhje me aksionin e një nate më parë të finalizuar nga RENEA në disa qytete të ndryshme të vendit, përfshirë këtu edhe Elbasanin.
Ai tha se ky aksion vjen në kuadër të masave për rritjen e sigurisë së qytetarëve me qëllimin identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale.
“Policia e Shtetit është duke punuar për rritjen e sigurisë së jetës së qytetarëve në të gjithë vendin. Po marrim të gjitha masat me qëllim identifikimin e autorëve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë. Këto masa kanë vazhduar për një kohë të gjatë. Të gjitha aksionet janë të mirë studiuara”, deklaroi ai.
Lexo edhe: Shpërthimi i merr jetën të riut në Cërrik, policia: Lëndën plasëse e kishte në dorë
Çipa foli edhe për dy ngjarjet e rënda që kanë prekur javët e fundit Elbasanin. Ndalur te shpërthimi me eksploziv në Cërrik ku humbi jetën 27-vjeçari Erion Rexhepi, Çipa theksoi se kjo ngjarje ka qenë aksidentale pasi viktima ishte person pa precedentë penalë.
“Janë dy ngjarje të rënda. Është punuar për motivin e tyre. Jemi duke bashkëpunuar me prokurorinë për të vënë para përgjegjësisë autorët. Vdekja e shtetasit në Cërrik ishte aksidentale. Personi ka qenë pa probleme, Jemi duke punuar për të sqaruar rrethanat e hetimit sipas detyrimit tonë”, u shpreh Çipa. m.v/Abcnews.al