Shpërthimi misterioz që dogji mijëra hektarë pyll në një sekondë

schedule11:42 - 7 Gusht, 2021

schedule 11:42 - 7 Gusht, 2021

Herë pas herë kemi dëgjuar shumë teori se si mund të shkatërrohet planeti ynë, megjithatë nëse do të vërtetohet një nga skenarët që kemi menduar, me siguri do të jetë  i ngjashëm me “Shpërthimin e Tunguskës”, shkruan Newsbeast

Është ndoshta një nga shpërthimet më misterioze që kanë ndodhur ndonjëherë në tokë, dhe ndoshta është pikërisht kjo që e bën një skenar më real ndaj teorive të komplotit. Sidoqoftë, e vërteta është se edhe sot, 113 vite më vonë, askush nuk mund të thotë me siguri absolute se çfarë ka ndodhur saktësisht në atë pyll të Siberisë.

Kjo ngjarje biblike,  ishte mbi një mijë herë më e fuqishme se energjia e bombës atomike të Hiroshimës.

 

Shpërthimi më i madh në historinë moderne të Tokës

 

Mëngjesi i 30 qershorit 1908 ishte si një ditë e zakonshme në zonën e pabanuar pranë lumit Tunguska në atë që sot është Krasnoyarsk. Çdo ditë ishte e qetë deri në 07:14 të mëngjesit. Papritmas dhe brenda pak sekondash një shpërthim i fuqishëm rrafshoi mijëra hektarë pyll, ndërsa pemët  u shkrumbuan brenda pak minutave.

Banorët e tmerruar vështronin qiellin gri dhe nuk kuptonin se çfarë po ndodhte. Ata vështruan disa drita, pothuajse aq të ndritshme sa Dielli. Rreth 10 minuta më vonë, ata panë një dritë tjetër  dhe një tingull që, sipas dëshmive, ngjasonte me zhurmën e zjarrit të artilerive të shoqëruara me një valë goditëse që rrëzoi njerëzit në tokë dhe theu dritaret qindra kilometra larg, raporton abcnews.al

Shumica e dëshmitarëve raportuan vetëm tingujt dhe dridhjet, por jo momentin e shpërthimit. Rrëfimet e tyre ndryshojnë totalisht ngjarjet. Por të gjithë ranë dakord për një gjë: Shpërthimi ngjasonte me hapjen e portave të Ferrit. Shpërthimi u regjistrua nga të gjithë sizmologët në rajonin e Euroazisë.

Fuqia e shpërthimit ishte e ngjashme me një tërmet me magnitudë 5 Rihter.

 

Shpërthimi shkaktoi luhatje të presionit atmosferik në Britaninë e Madhe ndërsa në SHBA u vu re një ndryshim në atmosferë që zgjati për disa muaj.

“U dëgjua një zhurmë e tmerrshme, e pasuar nga një tërmet që tronditi ndërtesat. Goditja e parë u pasua nga dy pas-lëkundje.

Midis lëkundjes së parë dhe të tretë, ndodhi një shpërthim nëntokësor i ngjashëm me një hekurudhë në të cilën udhëtojnë dhjetëra trena në të njëjtën kohë. Pastaj, për 5 deri në 6 minuta, u dëgjua një tingull i ngjashëm me atë të topit të zjarrit: 50 deri në 60 në intervale të barabarta, gradualisht duke u zvogëluar në intensitet.

Pas 1.5 deri në 2 minuta u dëgjuan edhe gjashtë lëkundje të tjera. Qielli dukej i pastër, nuk frynte erë dhe nuk kishte re. Të gjithë dolën në rrugë nga paniku ndërsa gratë qanin nga frika.

Çfarë u zbulua nga hetimet për shpërthimin që mund të shkatërronte  Shën Petersburg?

 

Për disa arsye të çuditshme, një ngjarje e tillë biblike nuk i ra në sy komunitetit shkencor, të paktën siç do të prisnim të gjithë. Një shpjegim (megjithatë jo aq bindës) mund të jetë se ky është një rajon shumë i izoluar në Siberi.

Një shpjegim tjetër është se u kryen disa misione shkencore, por të dhënat nga ato që ekspertët zbuluan atje humbën në kaosin e Luftës së Parë Botërore dhe Revolucionit rus. Misioni i parë u zhvillua në vendin e shpërthimit në vitin 1921, i udhëhequr nga  një ekspert rus që studionte minerale Leonid Kulik, i cili  tha se shpërthimi u shkaktua nga një meteor gjigant, raporton abcnews.al

Në 1927 Kulik përsëriti misionin e tij, por më pas ai u përball me një surprizë të madhe. Kur shkencëtarët arritën atje ata nuk gjetën asnjë krater. Ata panë vetëm  një zonë me pemë të djegura rreth 50 km në diametër.

Shkencëtarët vlerësojnë se meteori ose kometa shpërtheu në ajër përpara se të godiste sipërfaqen e Tokës. Energjia  ishte aq e madhe (një mijë herë më shumë se bomba e Hiroshimas) saqë shkrumboi rreth 80 milion pemë në një sipërfaqe prej mbi 2.15 milion hektarë në pak minuta.

 

Me fjalë të tjera, ishte një shpërthim që mund të shkatërronte lehtësisht një qytet të madh. Dhe kjo do të kishte ndodhur nëse Toka nuk do të rrotullohej(është rrotullimi i Tokës rreth boshtit të saj, si dhe ndryshimet në orientimin e boshtit në hapësirë).

Ky qytet do të ishte kryeqyteti i atëhershëm i Perandorisë Ruse, Shën Petersburg,  i cili shpëtoi  për 4 orë e 47 minuta.

Shkaku i shpërthimit dhe teoritë e komplotit

 

Shkaku i shpërthimit të Tunguska besohet  se është një meteor ose asteroid që goditi Tokën. Disa shkencëtarë kanë arritur në përfundimin se “shpërthimi” ndodhi pas shpërbërjes së meteorit në atmosferën e Tokës ose të një  asteroidi të vogël apo edhe një pjesë komete, i cili duhet të ketë shpërthyer në një lartësi prej 5 deri 10 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.

Por a u shkaktua shpërthimi nga rënia e meteorit apo një asteroidi? Shumë shkencëtarë besojnë se  “po”.

Në fillim të gjithë besuan se ishte një verifikim i teorisë së “fundit të botës”. Me kalimin e kohës, kjo teori u vënit pasi në 1965  shkencëtarët Cowan, Atluri dhe Libby arritën në përfundimin se shpërthimi i Tunguska ishte shkaktuar nga neutralizimi i një sasie të një trupi qiellor që kishte rënë nga hapësira.

Në 1973, fizikantët amerikanë Albert A. Jackson dhe Michael P. Ryan në Universitetin e Teksasit thanë se shpërthimi i Tunguska u shkaktua nga një vrimë e zezë e vogël (deri në 1.022 gram) që kaloi në Tokë.

Madje shumë besojnë se shpërthimi ndodhi si rezultat i një  eksperimenti të  Nikola Tesla. Sipas kësaj teorie, Tesla aktivizoi “rrezen e vdekjes” në rajonin e Arktikut, por ndodhi një gabim në shënjestrim dhe rrezja preku rajonin e Tunguska, duke bërë që Tesla të hiqte dorë nga planet e tij pasi ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për të vazhduar testimin.

 

Së fundi, ka edhe nga ata që besojnë se shpërthimi ishte rezultat i shpërthimit të një anije kozmike apo edhe një arme aliene që shpërtheu “për të shpëtuar Tokën nga një kërcënim i afërt”.

Këto ishin akuza të ngritura nga një inxhinier sovjetik Alexander Kazantsev në 1946.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al